AKV “Gjilani”, po vazhdon me suksese të njëpasnjëshme nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky ansambël është fitues i vendit të parë në Festivalin ndërkombëtar “Shkupi FolkFest” – 2018.
Është paraqitur me potpuri këngësh të kombinuara nga të gjitha trevat shqiptare, interpretuar nga këngëtaret tash më të njohur: Avdi Latifi, Qemajl Musliu, Afrim Hazri, Nazim Gagica, Adnan Leka, Nehat Ferati, Kaltrina Hajdari, Eronita Qerimi dhe Rinesa Zahiri, nën përcjelljen e orkestrës profesionale të artistëve gjilanas, udhëhequr nga Maestro Murat Ismajli, në bashkëpunim edhe me këshillin artistik të ansamblit.
Kryetari i AKV “Gjilani”, Nehat Ferati tha se ky ansambël gjithashtu u paraqit me kolazh vallesh nga grupi i mrekullueshëm i valltarëve me koreografi të Qemajl Musliut.
Sipas tij , ky Festival është organizuar nga SHKA.”Shqiponja”, dhe komuna Saraj-Shkup, është mbajtur për herë të dytë dhe sipas organizatorit pritet të jetë një Festival tradicional. Festivali kishte karakter garues dhe kishte laramani të këngëve dhe valleve të mbi 20 ansambleve dhe grupeve tjera.
Ferati ka thënë se programi i paraqitur nga AKV “Gjilani”, pasuroi këtë ngjarje dhe i dha një jehone sheshit “Isa Boletini” në Saraj të Shkupit, me këngë dhe valle të bukura shqiptare dhe që është pritur shume ngrohtë dhe me entuziazëm nga publiku vendas dhe nga organizatorët.
“Vlen të theksohet se pjesëmarrja e AKV “Gjilani”, në këtë festival është realizuar në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer të Ansamblit dhe organizatorit me ç’rast i shprehim mirënjohje dhe falënderime organizatorëve ne krye me z.Fevzi Ebibi, drejtor i Festivalit, dhe udhëheqësit artistik këngëtarit te mirënjohur Selajdin Miftari, për pritjen dhe organizimin e jashtëzakonshëm të kësaj ngjarje shumë të rëndësishme kulturore”, ka thënë Ferati.
Ai shtoi se AKV “Gjilani”, me mbështetje të komunës së Gjilanit, arriti ta realizojë këtë aktivitet kulturor. “I falënderohemi institucionit në krye me z.Lutfi Haziri, në veçanti znj. Shpresa Kurteshi- Kryetare e Kuvendit Komunal, për angazhimin e saj, duke bërë thirrje që AKV “Gjilani”, si vlerë e pakontestueshme, jo vetëm e qytetit tonë, por e gjithë kombit, të mbështetet për t’i ruajtur dhe kultivuar vlerat tona kombëtare.