Një shkresë të cilën Komuna e Kamenicës ia ka drejtuar Këshillit të Bashkësisë Islame të Kamenicës mban logon dhe shënimet e Komunës së Prishtinës. KALLXO.com ka siguruar këtë shkresë, e cila është hartuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Arta Gashi.
Shkresa, e vulosur nga drejtoresha Gashi, në krye të saj mban logon dhe shënimet e Komunës së Prishtinës, ndërkohë që është e vulosur me vulën e Komunës së Kamenicës.
Ajo tha se “gabimi” i datës 4 maj është rregulluar përmes lëshimit të një dokumenti tjetër.
“E kemi lëshuar dokumentin tjetër menjëherë të premten dhe e kemi lëshuar një dokument tjetër të hënën ku iu është kërkuar falje palës për lëshimin që e kemi bërë. E kemi marrë si shembull, të themi, draft-dokument, për plotësim — se si bëhet plotësimi i lëndës”, tha ajo.
Gashi po ashtu shpjegoi se në dokumentin e ri të nxjerrë nga Drejtoria e Urbanizmit, i është kërkuar falje Këshillit të Bashkësisë Islame dhe i është kërkuar po i njëjti dokumentacion si në shkresën e mëhershme.