Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, e njohur si FIT, ka protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë të marrë javën e kaluar.
Lidhur me këtë protestë ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e konsideron të drejtë kërkesën e tyre ndaj Qeverisë.
“Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!”, ka shkruar Haradinaj
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar për portestën e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës. Ai duke publikuar footgrafi të protesës ka thënë se kjo fotograf është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie.
“E vërteta e kësaj Qeverie!
Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta.
Përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas protesës së Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.
Ai e ka quajtur këtë trishtim dhe dëshpërim .
“Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës kanë kanë protestuar sot para Qeverisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth vendimit për shtesat e policëve, që u mor gjatë mbledhjes së qeverisë të premten.