Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Nevzad Rushiti, lidhur me akuzën se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
Aktgjykimi ndaj Rushitit është marrë të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues Ramiz Azizi, raporton, “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Azizi, i akuzuari lirohet nga akuza pasi nuk është provuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Pala e dëmtuar – Komuna e Gjilanit është udhëzuar në kontest civil, ndërsa kundër këtij aktvendimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afatin e paraparë ligjor.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 25 maj 2022 nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, Nevzad Rushiti ngarkohej se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar.
Sipas aktakuzës, edhe pse inspektorët e ndërtimit gjatë vizitës në objektin e pronarit Besnik Qarrolli, kanë konstatuar se objekti është duke u ndërtuar pa leje ndërtimore, i shqiptojnë gjobë prej 300 euro, i pandehuri në prill të 2021-ës, nxjerrë aktvendimi për rrënimin e objektit pa leje, përkundër që janë plotësuar kushtet për rrënim, nuk e ekzekuton të njëjtin edhe pse ka qenë obligimi i tij zyrtar që ta ekzekutojë.
Në aktakuzë thuhet se me këtë mosveprim i pandehuri akuzohej se i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit, në vlerë të taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit.
Përndryshe, Rushiti ka qenë ndër drejtorët më të përgjegjshëm që ka pasur Gjilani.