Pas protestës së pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive para Qeverisë, ku kërkuan rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë, sot pritet të protestojë edhe Njësia Speciale Operative, raporton Gazeta Sinjali.
Siç raportohet, protesta e tyre do të bëhet brenda zyrave dhe jo siç vepruan njësitë tjera para objektit të Qeverisë.
Një përfaqësues i njësive elite policore që protestuan dje tha se kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.
Ai shtoi se shpreson që përfaqësuesit e këtyre njësive të takohen shpejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe që Qeveria të marrë për bazë kërkesat e tyre.
Këto dy njësi po ashtu u shprehën të pakënaqura që nuk janë përfshirë në shtesa të tjera.
Reagimi i Kurtit erdhi në mbrëmje, ku përmes një postimi në Facebook tha se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Ai madje tha se mbi 200 policë këtë vit kanë pasur të ardhura më të larta sesa presidentja.
Por në një dokument të siguruar nga Sinjali shihet se paga bazë e një polici të Njësisë Speciale Intervenuese është 631 euro e 89 centë.
Kurti tha se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat), e tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj.