Pas një pune mbi katër dekada në arsim, është pensionuar profesoresha Hyrmyze Hoxha – Shkodra, profesoreshë e fizikës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Në ditëlindjen e saj të 65-të, kolektivi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” e ku ishin të pranishëm edhe kolegë nga Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini” kanë organizuar një mbrëmje përshëndetëse, në të cilën janë thënë fjalë miradije për punën e profesoreshës Hyrmyze, e cila ishte një punëtore e paepur, pedagoge, mësimdhënëse e afërt me nxënës dhe shumë e përkushtuar në punën e saj, shkruan kryelajmi.com.
Drejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Bekim Mustafa, ka theksuar se pikërisht në këtë mbrëmje kolektivi është mbledhur bashkë për të vlerësuar punën në dekada, përkushtimin dhe për të vlerësuar angazhimin e jashtëzakonshëm të koleges, mikes e njeriut tonë – profesoreshës Hyrmyze Shkodra.
“Dua të shpreh gjithë admirimin dhe falënderimin për gjithçka që profesoresha u ka ofruar brezave të tërë të nxënësve; falënderimin e mirënjohjen për kolegialitetin, sinqeritetin, thjeshtësinë dhe mbështetjen që na ka ofruar të gjithë neve. Profesoreshë; jam shumë mirënjohës e falënderues për gjithë kontributin tënd për nxënësit dhe ndihmën që na ke ofruar të gjithë neve”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ndjehet i lumtur që e ka njohur dhe ka punuar bashkë me profesoreshën Hyrmyze.
“Gjithmonë ke qenë po kjo që je edhe sonte; e sinqertë, e thjeshtë deri në adhurim, e drejtpërdrejtë……pra, një njeri i shkëlqyer. Sigurisht, Gjimnazit tonë; neve kolegëve e nxënësve do të na mungojë fryma jote pozitive e mendjehapur, po kudo dhe kurdo do të kujtojmë gjërat e mira e sfidat që kaluam bashkë! Profesoreshë; më lejo me gjithë qenien të të falënderoj për kontributin e afërsinë që na ke falur, duke të dëshiruar jetë të gjatë e të lumtur me më të dashurit e tu. Sigurisht, Gjimnazi ynë gjithmonë do të mbetet edhe shtëpia e jote dhe kurdo do të mirëpresim sikur të mos kesh shkuar kurrë. Gëzuar pensionimi e ditëlindja. Paç shëndetin e gëzimet qofshin të përditshme! Të faleminderit shumë! Gëzuar!”, ka thënë Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” në Gjilan.
Edhe Sami Hoxha, ish-drejtor në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdni”, ku një pjesë të madhe të punës e kishte kaluar profesoresha Hyrmyze Shkodra, ka theksuar se duke qenë se e ka të afërme profesoreshën, një pjesë të madhe të jetës e kishin kaluar bashkë, që nga ditët e para të shkollës e deri në përfundim të saj dhe tashti kur ajo ka mbërrirë moshën e pensionimit, ai i ka dëshiruar shëndet, jetë të gjatë e të lumtur.
Profesoreshë Dinore Kastrati, kolege e profesoreshës Hyrmyze, ka theksuar për kolegen e saj se gjithnjë ishte e afër me nxënës e mësimdhënës, se gjithnjë ishte e hareshme dhe për këtë të gjithë ia kishin lakmi, andaj ajo do të mbetet përgjithmonë pjesë e kolektivit.
Edhe zëvendësdrejtori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, dr. Agim Asllani, profesoreshën Hyrmyze Shkodra e ka cilësuar si gurët e çmuar të Kosovës, andaj në këtë mbrëmje përshëndetëse i ka dhuruar një hartë të Kosovës me gurët e saj të çmuar.
Hyrmyze Shkodra, e cila që nga kjo e hënë do t’i bashkëngjitet karvanit të shumë mësimdhënësve që lanë gjurmë të pashlyeshme në arsimin gjilanas, ka thënë se gjithmonë do të ndjehet krenare që punoi në një kolektiv të tillë, me mësimdhënës të përkushtuar, nxënës të shkëlqyer e në një ambient shumë miqësor. Ajo ka thënë se në punën e saj, gjithnjë ka bërë përpjekje që të përçojë sa më shumë njohuri tek nxënësit, që janë e ardhmja jonë dhe se ajo ka shprehur besimin se krenare po pensionohet, ngase qëllimet që i kishte i ka shndërruar në realitet.
Në shenjë nderimi e kujtimi, profesoreshës i janë shpërndarë dhurata e mirënjohje nga kolektivi.
Shënime biografike për profesoreshën Hyrmyze Shkodra.
E lindur më 25 nëntor 1958, Hyrmyze Hoxha, që më vonë do të marrë mbiemrin e nusërisë Shkodra, shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, në Cernicë për të vazhduar më pas mësimin në Gjimnazin “Zenel Hajdini”. Në vitin 1977 i regjistron studimet në degën e Fizikës dhe pas përfundimit të tyre nisi të punojë në Shkollën e Mesme “Eduard Kardel” tashti “Marin Barleti”. Ajo rrjedh nga një familje atdhetare, andaj për një kohë nuk i jepej leja për punë, kurse që nga viti 1988 filloi të punojë në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, kurse në ditët më të vështira për arsimin gjilanas ajo u vu në mbrojtje të tij, duke punuar edhe në kohët më të vështira. Me krijimin e gjimnazit të ri ajo u bë pjesë e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku edhe priti moshën e pensionimit. Pas luftës për një kohë ajo u angazhua edhe në jetën politike, duke dhënë kontribut në zhvillimin e demokracisë dhe të jetës në liri.
Komuniteti arsimor, nxënësit dhe të gjithë qytetarët që e kanë njohur nga afër profesoreshën Hyrmyze Hoxha – Shkodra, i dëshirojnë jetë të gjatë dhe të lumtur pranë më të afërmeve të saj. Enver Sadiku /kryelajmi.com/