Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Vlorë për të festuar 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Nga qyteti i flamurit, Kurti u shpreh se të gjithë duhet të punojnë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, Ismail Qemalit nga Vlora dhe Adem Jasharit nga Prekazi.
“Gëzuar të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, këtë festë të madhe të Flamurit e të lirisë, të Pavarësisë e të bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan e në mërgatë. Lavdi dëshmorëve të kombit, sot është ditë pushimi, feste, e çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet, synimet e Skënderbeut nga Kruja, të Ismail Qemalit nga Vlora e të Adem Jasharit nga Prekazi. Ne ishim këtu për të bërë nderime në Vlorë me krerët institucional të shtetit shqiptar dhe pasdite do të jemi në Kosovë për të bërë homazh tek varrezat e Jasharajve, në krye me komandantin Adem Jashari. Dje kishim ditën e Ushtrisë së Kosovës, dhe për shkak se gjithë këto aktivitete nuk mund t’i vendosim në një ditë, do të vazhdojmë edhe nesër me ngjarje të ndryshme kulturore, artistike për nder të 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit kombëtar”.
Sa i përket komente politike, Kurti i shmangu duke thënë se sot nuk është dita.
“Nuk është sot dita që të flasim për dallimet politike apo polemikat aktuale. Sot jemi bashkë, shqiptarët e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, e kanë të përbashkët historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë. Kemi shumë ditë të tjera përgjatë vitit për temat”./tvklan.al