Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar 85 mijë euro të monedhave metalike 2-euroshe të falsifikuara.
Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë persona dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sipas prokurorisë Speciale të Kosovës, rasti ka ndodhur në Prishtinë, derisa të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga neni 296 i Kodit nr.08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë (6) persona të dyshuar, për veprat penale ‘’Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga neni 296 i Kodit nr.08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) €uro të falsifikuara. Ndërkaq, tre (3) nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre (3) të tjerë shtetas të Kosovës.
Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë.
Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.