Trajneri Akis Vavalis ka falënderuar analistët për presionin e bërë sepse tani ka dy oferta më të mëdha (në Qipro dhe Turqi), kështu deklaroi së paku ai në një intervistë për Gazetën Nacionale.
Drita vendosi t’i ndajë rrugët me teknikun grek pas disa rezultateve negative dhe pastaj zëvendësuan me Zekirija Ramadanin, i cili e nisi me fitore ndaj Feronikelit ’74.
Lidhur me kohën te Drita, Vavalis ka dhënë një intervistë të gjatë për Nacionalen, ku fillimisht tha se ishte një periudhë pozitive te skuadra gjilanase.
“Ishte një periudhë e mirë për mua. Kam punuar shumë me stafin që ta përmirësoj skuadrën, kishim dy ndeshje të mrekullueshme ndaj Viktoria Plzen. Ndeshje të mira në kampionatin lokal, në përgjithësi një eksperiencë pozitive”.
Brenda 22 ndeshjeve sa ishte në krye, Vavalis në kreun e Dritës regjistroi 10 fitore, gjashtë humbje dhe gjashtë barazime. Tekniku grek thotë se në përgjithësi ishin mirë pasi buxheti luajti rol të madh në këtë aspekt.
“Së pari nuk mund të themi 22 sepse 2 prej tyre ishin kundër Viktoria, një skuadër me buxhet 20 herë më të madh”.
“E dyta, ishim më lartë se secila skuadër që kishte buxhet më të ulët dhe më të lartë se Llapi që kishte buxhet më shumë se ne, pra në vend të dytë. Nuk është lehtë të jesh mbi Ballkanin shkaku se ndryshimi i buxhetit është i madh për standardet e Kosovës”.
Tekniku grek u kritikua shpesh herë nga tifozët e klubit, mirëpo ai thotë se ata s’kanë faj pasi po të dinë dallimin mes buxheteve në klub atëherë nuk do ta kritikonin.
“Tifozët me mbështeten nga dita e parë, në fund dolën kundër dhe Valon Zymberit, por e duan skuadrën. Nuk mund t’i fajësoj, në përgjithësi më kujtohen vetëm gjërat pozitive. Njerëzit në Gjilan më treguan dashuri dhe besim, nëse tifozët do ta dinin diferencën në buxhet do të ishin më të qetë dhe nuk do më fajësonin mua dhe Valonin, që është person i mrekullueshëm dhe profesionalist i shkëlqyer në pozitën e tij, më i miri në Kosovë”.
Kritikat më të mëdha për Vavalis gjatë tërë kësaj kohe, ishin nga analistët në studiot e ndryshme televizive mirëpo ai thotë se ia ka parë ‘hajrin’ meqenëse tani ka oferta të nivelit më të lartë.
“Kritikat nuk kishin efekt asnjëherë tek unë sepse ishin pa argumente. Ishte thjesht sepse isha grek dhe mendonin se iu zura vendin te Drita. Skuadrat me të cilat kam punuar janë në nivel shumë të lartë për t’i dhënë vëmendje disa njerëzve si ata”.
“Deklaratat e tua? Unë thjesht e thashë të vërtetën sigurisht jo për të gjithë. Dua t’i falënderoj dhe i dua shumë. I përqafoj. I falënderoj sepse i bën presion Dritës të më largonin dhe tani kam dy oferta nga Qipro dhe Turqia që është nivel edhe më i lartë. Kështu që edhe një herë, kam harruar çdo mosmarrëveshje dhe u dërgoj atyre dashurinë time të vërtetë për ta”.
Për fund, Vavalis shtoi se duhet ndryshuar shumë në futbollin e Kosovës derisa falënderoi drejtuesit, tifozët, stafin dhe lojtarët e Dritës për këtë periudhë.
“Nuk është në planin tim për muajt e ardhshëm që të vazhdojë në Kosovë. Kurrë mos thuaj kurrë. Sigurisht kisha eksperiencë fantastike dhe takova njerëz të mrekullueshëm si Valoni, Feti Murseli dhe Jetmir Salihu, por futbolli në Kosovë duhet të ndryshojë shumë, duke nisur nga infrastruktura, nga mentaliteti i të gjithëve dhe të sjellin disa trajnerë nga jashtë për ta rritur nivelin”.
“Dua të falënderoj të gjithë njerëzit nga Drita, pra drejtuesit, lojtarët dhe stafin me të cilët kam punuar dhe kanë respektin dhe dashurinë time”.