Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një mesazh për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit sot, ku në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale.
Osmani tha se pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit.
“Pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në zgjedhjet e sotme parlamentare është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit, e cila, para syve të botës, vazhdon ta realizojë spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Luginës nëpërmjet masave administrative”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka ftuar të gjithë shqiptarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar.
“Ftoj të gjithë bashkëkombësit tanë në këto treva, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar, edhe pse kjo e drejtë e tyre vazhdon të jetë nën sulm nga regjimi në Beograd”.
Gara e liderëve politik shqiptarë atje do të jetë e ndarë. Ata do të garojnë me dy lista.
“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.
Të drejtë vote në Serbi, kanë mbi 6.5 milionë qytetarë./teve1.info/