Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror – ASHNA ka paralajmëruar se nga java e ardhshme në Kosovë do të ketë reshje bore, duke përfshirë edhe zonat urbane.
Sipas parashikimit të agjencisë, temperaturat minimale do të zbresin në -8 gradë celsius, ndërsa ato maksimale në -1 gradë celsius.
“Devijimi stratosferik që tashmë ka ndodhur dhe ka afektuar vendet nordike të cilat po përjetojnë temperatura të ulëta madje deri -43°C, nga e hëna e javës së ardhshme për disa ditë me radhë pritet të shtrihet edhe në zonat e gadishullit ballkanik, duke sjellur edhe shtresa bore të cekëta të cilat do të mbulojnë edhe zonat urbane. Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -08°C, ndërsa ato maksimale deri në -1°C. Erërat e furishme veri – verilindore me shpejtësi deri në 20m/s, do të shkaktojnë ndjesinë e një acari të vërtetë, tipik për muajin janar, duke rezultuar me vështirësi në zhvillimin e aktiviteteve normale jetësore të qytetarëve”, thuhet në njoftim.