Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 18 vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe ministri i Kulturës Hajrulla Çeku kanë vizituar familjen Rugova.
Kurti ka treguar se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së presidentit Ibrahim Rugova.
“Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot”, shkroi Kurti në rrjetin social në Facebook.
“Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë”.
“Na pritën në Rezidencën e Presidentit Rugova, aty ku ai kishte pritur personalitete të mëdha botërore dhe ku janë marr vendime të rëndësishme e përcaktuese për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës. Në këtë shtëpi Dr. Rugova zhvilloi aktivitetin e tij nga viti 1993 e deri në ditën e fundit të jetës. Për shkak të vlerave që posedon, kjo ndërtesë është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.