Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se të gjitha bankat e Kosovës kanë vazhduar të performojnë me fitime të larta, ku në tremujorin e tretë të vitit 2023, bankat kanë pasur një profit neto prej 123.7 milionë eurosh.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të rritjes të të hyrave, që kanë qenë më të larta në krahasim me vitin e kaluar.
Ndërkaq, sipas BQK-së, gjithsej të hyrat kanë arritur vlerën prej 317 milionë eurosh, që është një rritje prej 17.2 për qind prej vitit të kaluar.
“Sektori bankar në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023, realizoi profit neto prej 123.7 milionë eurosh, niveli më i lartë në raport me periudhat e njëjta të viteve paraprake. Rezultati i tillë financiar u arrit kryesisht nga rritja e të hyrave, e cila ishte më e larët se një vit më parë, përderisa edhe shpenzimet vazhduan trendin rritës për të dytin vit me radhë”, thuhet në raport.
Në këtë rritje, kryesisht kanë ndikuar të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 për qind të të hyrave.
“Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 317.1 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 17.2 për qind (13.6 përqind deri në shtator 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor e kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 për qind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit, posaçërisht në tri vitet e fundit, si dhe rritjes së normave të interesit në kredi. Për më tepër, të hyrat nga plasmanet me bankat janë rritur theksueshëm, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet tutje.