ShSKUK ka marr vendim që t’i jap tokë komunës së Gjilanit për ndërtimin e një shkolle në hapësirat e spitalit të përgjithshëm.
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme ku është diskutuar një kërkesë e kryetarit të komunës së Gjilanit Alban Hyseni, shkruan Gazeta Shneta.
Hyseni përmes Ministrisë së Shëndetësisë i ka kërkuar SHSKUK-së që t’ia jap 30 ari tokë në hapësirat e Spitalit të Gjilanit për ndërtimin e shkollës së mjekësisë dhe një qendër për qëndrim ditor për persona të moshuar.
Në këtë mbledhje ka qenë i ftuar edhe drejtori i spitalit të Gjilanit Arsim Emini, i cili ka sqaruar hapësirat të cilat i ka kërkuar komuna. Emini ka thënë se hapësira të cilën e ka kërkuar komuna, ishte planifikuar që të ndërtohej parkingu për nevojat e spitalit.
Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka marr vendim unanim që të jap pëlqimin për dhënien e tokës sipas kërkesës së kryetarit Hyseni.
Pas dhënies së pëlqimit pritet edhe miratimi nga Ministria e Shëndetësisë. Me këtë vendim komunës së Gjilanit do t’i jepen rreth 30 ari tokë.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe dhënia e pëlqimit për ndërtimin e Fakultetit të Farmacisë në hapësirat e QKUK-së. Drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi ka thënë se parcela e cila është kërkuar nga Dekanati, përballë institutit B, është e papërshtatshme për nevojat e QKUK-së. Azizi ka propozuar që Fakultetit t’i jepet një parcelë tjetër afër Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, konkretisht oborri pranë zyreve të vjetra të Dekanatit të FM-së. Ky propozim është shtyrë për mbledhjen e ardhshme.