Shkruan: Mr.Emrush T.Shkodra
Koha kur autoritet ankoheshin se shqiptarët po rrisin varfërinë në familjet e tyre duke mos planifikuar familjen, duket që sot erdhi.
Përplot 20 vite po thuajse, për të vazhduar edhe në ditët e sotshme promovohej ideja evropiane mbi familjen, e bazuar mbi këtë bënin thirrje në vazhdimësi që familja duhet të planifikohet nëse dëshirojmë një mirëqenie ekonomike e sociale të arritshme dhe të qetë në familje.
Bëheshin kampanja, OJQ vendore e ndërkombëtare të financuara kush e di nga kush, shpalosnin programet, praktikat dhe njohuritë perëndimore mbi planifikimin e familjes anembanë Kosovës, me theks të veçantë targetonin qendrat rurale, ku atje mendohet që familjet ruanin akoma natalitetin duke kontribuar direkt në shtimin e popullsisë së republikës.
Sipas entit të statistikave në të gjitha spitalet regjionale të Kosovës janë raportuar rënie e theksuar e lindjeve të fëmijëve. Disa reparte që operonin nëpër qyteza të vogla të vendit janë mbyllur krejtësisht për shkakun se nuk kishte kujt ti ofronin ndihmë për lindje.
Mjek/e dhe infermiere, mami e personel tjerë që kishin punuar me vite nëpër reparte ku silleshin jetë të reja në këtë botë, rrëfejnë gjerë e gjatë nëpër TV e media se si ishte përpara e si është sot.
Bile në një rast tregonin se si në një qytet të Kosovës kryheshin 18 lindje brena një ditë, kurse sot 18 lindje nuk realizohen brenda një muaji.
SHKAQET DHE ARSYET
Mungesa e vullnetit të rinjve, migrimi i vazhdueshëm, shtyrja e moshave për martesë ka bërë që shumë qytetarë të Kosovës të përjetojnë rënie drastike të lindjeve.
Një ndër arsyet tjera sipas rrethanave është edhe mungesa e perspektivës për vet të rinjtë, gjë që kjo afekton edhe në përqendrimin e tyre për krijimin e familjes apo investimit, në të ardhmen nëse do të vendosnin që jetën e tyre ta shtrijnë në këtë vend.
Në Ferizaj, Gjilan, Pejë, Mitrovicë raportuan se ka një rënie drastike të lindjeve edhe pse tërë këto rajone përfshijnë gati gjysmën e Kosovës, dhe kanë një terren shumë të gjerë duke përfshirë edhe qytetezat si: Shtimen, Kaçanikun, Hanin Elezit, Vitinë, Kamenicën, Novobërdën, Istogun, Klinën, Skenderajn, Vushtrrinë etj.
Reparti i gjinekologjisë në Prishtinë raportuan se në vitin 2023 kishin vetëm 8100 lindje për krejt vitin, 225 binjak,11 lindje trinjak, që në përpjesëtim me 365 ditë 22 fëmijë në ditë krahasuar me një vit më herët që kishin deri në 70 lindje në ditë.
Në vitin 2023 krejt Kosova përjetoi 25 mijë 586 lindje, një formë shqetësuese që na vjen përmes natalitetit të ulët nga viti në vit.
Krahasuar me vitin 2022 që ishin 26 mijë e 118 lindje, e viti 2021 shënoi 28 mijë e 549 lindje.
KAMPANJA PËR VETËDIJESIM DHE PLANIFIKIM FAMILJAR
Mbajmë mend (nëse nuk po gabojmë) para më shumë se nja 13-14 vite organizoheshin kampanja nga OJQ dhe mbështeteshin nga autoritetet e atëhershme, nën siglën e quajtur “planifikimi familjar”.
Pra, bëhej thirrje se qiftet duhet planifikuar krijimin e familjes, dhe nuk duhet medoemos të kenë lindje të shumta.
Tregohej si proverb se si një autoritet tejet i lartë në qeverisjen e vendit kur e kishte pyetur një moderatore në studio se: “një familje me 7 fëmijë nuk arrin të mbijetoj dhe fëmijët e tij rriten në kushte tmerrësisht mjeruese, dhe se shteti duhet ti gjendet në këto momente ai ishte përgjigjur; “nuk duhet vetëm me bë fëmijë, ai është dashtë me mendua qysh me i mbajt dhe me i rrit ata fëmijë”.
SHPËRBLIMI PËR ÇDO LINDJE
Një kronikë tjetër që u shfaq disa kohë më parë, rrëfente se si në një qytet të Kosovës do të shpërblejë qiftet që sjellin në jetë katërnjak.
Çfarë absurdi?
Për krejt pak kohë, do të duhej që për një fëmijë të lindur nga ndonjë qift, shteti të shpërblejë me 5 mijë euro për çdo lindje, e jo 2 mijë për katërnjak, trenjak e binjak.
Edhe ashtu duket se do të jetë krejt e padobishme nëse nuk reagohet në kohë, për shkakun se nëse vonohemi nuk do të ketë asnjë efekt!?
Në ditët e sotshme, duke parë si imanencë shfaqjen e kësaj dukurie, autoriteti duhet të reagoj më shpejt e në kohë, duke mos e neglizhuar këtë situatë nëse vërtetë e duan këtë vend.
Rinia e vendit ka përjetuar një trysni të paparë në të gjitha sferat, e për rrjedhojë ata të vetmen zgjidhje që prisnin ishte liberalizimi i vizave, duke e parë këtë si një mundësi për të ikur nga vendi.
Krejt për pak vite mosha rinore do të pëson ndryshim në strukturën e popullatës në Kosovë, e si rrjedhojë qifte të martuara edhe më pak.
E pasojë e kësaj do të jetë edhe mungesa e fëmijëve dhe lindjeve të reja në vend.
Përveç shumë tjerave që Republika e Kosovës do të përballet edhe me këtë fenomen. Kjo do të cilësohet edhe ndër më të rëndësishmet, për shkakun se nëse kemi fuqi punëtore do të investojmë në makineri dhe industri, nëse nuk do të ketë fuqi punëtore do të kompensojmë, por nëse nuk kemi fëmijë që shton natalitetin e vendit atëherë kjo do të jetë pragu që nuk do të kalohet.
CILAT JANË MUNDËSITË
Kosova duhet të mësoj shumë në ketë rast nga Polonia apo edhe Hungaria. Duhet angazhuar ekspertë në ketë fushë, duhet filluar sërish me kampanjat që shteti do të përkrah rritjen e familjes. Duhet rritur bonuset për ata që sjellin në jetë fëmijë. Kjo do të arrihet që për çdo lindje të shpërblehet qifti me mbi 1500 euro, për çdo të dytin fëmijë 2500 euro, e për të tretin dhe të katërtin mbi 4000 mijë euro të derdhen në llogaritë e tyre.
Autoritetet duhet të balancojnë shtresat në vend, duke zvogëluar ndasitë sociale që ekzistojnë deri në masa shumë të theksuara, se ata që janë pjesë e sektorit publik kanë dhe gëzojnë të gjitha benifitet shtetërore, kurse pjesa tjetër e qytetarëve që nuk janë pjesë e institucioneve të ndjehen inferior, për shkakun se kjo stagnon në masë të madhe këtë proces, duke bërë që largimi nga vendi të shihet si mundësi për shkakun se shteti nuk i sheh një pjesë të qytetarëve si trung të vetin.
Me një fjalë jetë pak më të dinjiteteshme, nga ku do të prisnin barazi sociale e shoqërore në mes shtresash.
Të jetësohet sigurimi shëndetësor, në shumë raste që janë më një të punësuar në një familje ti jepet sigurimi shëndetësor falas.
Të rritet shtesat për fëmijët nga 10 euro që është tani, të kalojnë nga 50 euro mujore.
Të pakësohet deri në minimum ndihmat për shtresat sociale, atyre duhet dhënë një mundësi për punë.
Kopshte për fëmijë me lodra dhe fusha sportive të jetësohen gjithandej nëpër lagje, e jo të kalohet vetëm në ndërtimin e çerdheve.
Trajtim të dinjiteteshëm të lehonave gjatë dhe pas lindjes, dhe kjo të bëhet në një monitorim të rreptë qeveritar.
Zvogëlimin në minimum të vdekjeve gjatë lindjes.
Thënë shkurt nëse qeveritë tona nuk janë pjesë e teorive konspirative e komploteve ku thuhet se shumë qeveri të shteteve janë pjesë e planeve perëndimore që insistohet në zvogëlimin e popullatës, atëherë duhet të shpërndajnë EURO.
Paratë do të jenë ato që do të mund të konsiderohen si mekanizëm që ta ruajmë dhe të rrisim natalitetin./radiostar/