Milan Radoiçiq, kryeterroristi i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ndodhet tashmë në sistemin për urdhërarrest, të organizatës INTERPOL. Radoiçiq, i cili i priu grupit terrorist në Banjskë.
INTERPOL-i lëshoi fletarrest për Radoiçiqin, për të cilin thotë se ka kryer dy vepra penale në Kosovë: krim të ndërlidhur me terrorizëm dhe pastrim parash.
Gazeta Express ka siguruar raportin për Radoiçiqin në INTERPOL, i cili së fundmi është përditësuar më 16 shkurt të këtij viti.
Në pjesën e fakteve për rastin, në dosje shkruhet :”Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake dhe bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës. Ata sulmuan PK-në me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit të Banjskës, duke vrarë oficerin e PK-së, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur oficerin Alban Rashiti”.
“Gjithashtu ka dyshime të arsyeshme se në cilësinë e kreut të një grupi kriminal duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2017 deri më 24 shtator 2023, nëpërmjet veprimtarive kriminale të kontrabandës së mallrave, kërcënimeve, shantazheve dhe kontrollit të grupit kriminal, ka krijuar të ardhura, të cilat më pas i ka konvertuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si investimi i milionave në një vilë dhe blerja e një ‘penthouse’, barit, veturave dhe mjeteve të tjera motorike me qëllim të fshehjes/maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet tutje në dosjen e INTERPOL-it.
Te pjesa e informacionit gjyqësor, në raport shkruhen veprat për të cilat dyshohet Radoiçiqi: “‘Veprat e rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës’, në kundërshtim me nenin 126, ‘Kryerja e veprës terroriste’ në kundërshtim me nenin 129, dhe ‘Pastrimi i parave’ në kundërshtim me nenin 302 të Kodit Penal të Kosovës (2019)”.
“Dënimi i mundshëm maksimal: Burgim i përjetshëm”, thuhet më tej në raport.