Koordinatorja e komiteteve në lëvizjen “Vetëvendosje”, Dejona Mihali është fotografuar duke udhëzuar deputeten e partisë së saj, aktoren Adriana Matoshi që të sulmonte verbalisht drejtorin e “Periskopit”, Ilir Mirenën.
Gazeta “Nacionale” ka shkrepur fotografi të komunikimit mes Mihalit dhe deputetes Matoshi në rrjetin “WhatsApp”.
“Ish-zëvendësministri i PDK-së, njohësi i thellë i fushës së shpronësimeve në Hade, tash pronar i “Periskopi”, ka kohë që në mënyrën më të ultë merret me mua. E kuptoj që është në opozitë dhe fondet nuk i ka më siç i kishte, por e inkurajoj për durim e vetëpërmbajtje. I bën mirë edhe për shëndetin”, thuhej në mesazhin që Mihali kishte shkruar.
Deputetja Matoshi kishte qeshur me këtë mesazh, para se ta pyeste Mihalin nëse dëshironte ta postonte në rrjetin e saj social. Mihali ia kishte kthyer shkurt: “Më vonë”.
Orë më vonë pasi mori vëmendjen e mediave komunikimi me zyrtaren Mihali, deputetja Matoshi e ka postuar në Facebook mesazhin e dirigjuar nga Mihali.
Ndërkaq, deputeti tjetër i VV-së, Halil Thaçi ka shkuar përtej. Ai nuk ka kërkuar ndihmën e Mihalit për t’ia shkuar fjalimin në Kuvend. Ai ka kërkuar ndihmën e inteligjencës artificiale. Në një fotografi ai është kapur duke i kërkuar ndihmë ChatGPT-së për t’ia shkruar fjalimin.
Ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, muaj më parë kishte akuzuar për ngufatje të zërit të deputetëve dhe demokracisë brenda Grupit Parlamentar të VV-së.
Në mesin e emrave, Abazi kishte përmendur edhe Mihalin, për të cilën kishte thënë se është “masha e kontrollit” të deputetëve të Vetëvendosjes.
Dejona Mihali, aktiviste e LVV-së, nuk është shumë emër i njohur për publikun, pasi nuk ka paraqitje në media dhe nuk ushtron asnjë funksion publik në Qeverinë Kurti. Por, ajo është figurë e rëndësishme në LVV, pasi që është anëtare e kryesisë.
Në ueb-faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje jepen shumë pak informacione për rolin e Mihalit, për dallim për disa prej zyrtarëve të tjerë të partisë. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si “Koordinatore e Komiteteve”, pozitë kjo të cilën e mban që nga viti 2016.