Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan dhe njëherit nënkryetari i parë Lutfi Haziri, përmes një statusi në ‘Facebook’, ka thënë se kanë filluar mobilizimin e jashtëzakonshëm dhe do të shkaktojnë rikthim të madh shkruan Radio Star.
Më tutje Haziri ka thënë se LDK është duke bërë mobilizimin për rikthimin e madh të LDK-së në Gjilan, Anamoravë dhe Republikë.
Shkrimi i plotë:
34 vjet me LDK në Gjilan, mobilizimi i jashtëzakonshëm i Rugovistëve do ta shkaktojë rikthimin e madh
Në ditën e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, shpreh falënderim për të gjithë burrat e gratë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm e sakrificën deri në flijim.
Në këtë përvjetor, i falemi njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar, por që në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha dhe për të realizuar ëndrra. I falemi dr. Ibrahim Rugovës.
Kuvendit themelues të Degës së LDK-së më 4 mars 1990 i parapriu Këshilli nismëtar për themelim, më 12 janar 1990, ndërsa më 7 dhe 8 mars themelohen edhe Forumi i Rinisë dhe Forumi i Gruas.
Rezistenca politike, organizimi i Republikës së 2 Korrikut si bërthama e parë e administratës përmes Këshillave komunalë, ushtrisë dhe policisë, janë sinonim i LDK-së, sikurse edhe solidariteti dhe ndarja e maxhës dhe kuletës mes vete në çdo familje.
Sot, në vitin 35-të, mund të them se LDK është partia e vetme si burim stabiliteti për të gjithë, për liri të plotë, pavarësi në gjithë Republikën dhe demokraci për të gjithë.
Rruga e Re për Gjilanin e gjelbër 2030, Konventa programore, listat iniciale për deputetë dhe këshilltarë komunalë, do të jenë prioriteti i vetëm sepse Anamorava gjithmonë ka qenë në rrugën e saj e pathyeshme dhe me sakrificë.
Ka ardhur koha që edhe ata që e humbën besimin t’i kthehen familjes politike në frymën e unitetit të gjeneratave, për ta bërë Gjilanin dhe Anamoravën e zhvilluar, si qendër ekonomike, arsimore e politike.
Jam shumë i lumtur me mobilizimin e jashtëzakonshëm të Rugovistëve për rikthimin e madh të LDK-së në Gjilan, Anamoravë dhe Republikë.
Urime 34-vjetori i LDK-së!