Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se bashkë me ministrin Hajrulla Çeku dhe Myftiun Naim Tërnava ka vizituar xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë.
Kurti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, tha se këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim, që siç u shpreh ai, në tokë të bëhen vepra të mira.
“Marsi i përkujtimeve dhe sakrificës së popullit tonë, i përpjekjeve të pareshtura për çlirim e barazi, bashkë me pranverën, edhe sivjet sjell përjetimin e muajit të agjërimit dhe të ripërtëritjes shpirtërore.Në prag të Ramazanit, me ministrin Hajrulla, të mirëpritur e shoqëruar nga Myftiu Naim Tërnava vizituam xhamitë Pirinaz dhe Alaudin në Prishtinë, që të dyja sapo të restauruara profesionalisht dhe aq bukur, e që po hapin dyert përsëri për besimtarët”.
“Këto xhami sërish do të ngrisin në qiell thirrjen për besim, që në tokë të bëhen vepra të mira. Për mirësi ndaj njëri-tjetrit, e bujari ndaj atyre që kanë më pak. E përgjatë këtij muaji ato do të jenë një mundësi më shumë për të gjetur qetësinë e shpirtit dhe devocionin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, mbrojtjes dhe zhvillimit të paqes”, shkroi Kurti.
Kryeministri tutje uroi besimtarët mysliman për fillimin e muajit Ramazan, duke uruar agjërim të lehtë dhe muaj të begatë.
“Të gjithë besimtarëve dhe besimtareve të fesë islame u uroj muajin e Ramazanit, muajin e sakrificës dhe përkushtimit për të tjerët, për ditë të bardha e të paqta, për të gjithë. U dëshiroj agjërim të lehtë dhe një muaj të begatë”, shkroi tutje ai.