Faturat mund të mbesin për kohë të gjatë në këtë gjendje, nëse konsumatorët nuk gjenden në shtëpi.
Prandaj edhe mund të bien në duart e të tjerëve, që nuk u përkasin.
Me këtë rast, mund të merren të dhënat personale të individëve.
Kjo është arsyeja pse Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka kërkuar ndërmarrjeve që faturat t’i fusin në zarf, nga 30 qershori e tutje.
“Duke pasur parasysh shkeljet e privatësisë e cila njëherazi është vepër penale, ndërmarrjet publike duhet të përgatiten për këtë, iu kemi dhënë afat kohor, dhe pas kësaj date veç duhet të fillohet zbatimi…”, tha komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku.
Nëse pas datës së caktuar, përsëri ka shkelje, konform ligjit për mbrojtjen e privatësisë, do të pasojnë gjoba.
“I lusim ndërmarrjet për seriozitet pasi gjobat nuk janë aspak të ulëta, janë nga 20 e deri në 40 mijë euro, nëse përsëritet mund të shkojë edhe në mbyllje të ndërmarrjes”, tha Sogojeva-Dermaku.
Ndërmarrja “Termokos” thotë se do të bëhet gati tek për sezonin e ardhshëm, meqë kanë mënyrë tjetër të faturimit.
“Është plotësisht me të drejtë, ne si ndërmarrje me të marrë informatën kemi filluar përgatitjet menjëherë dhe do të bëjmë gjithçka që na kërkohet për mbrojtje të privatësisë, për sezonin e ardhshëm do jemi gati me këtë pasi që mënyra e shpërndarjes sonë dihet”, tha kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Gashi.
Kundërshtime nuk ka as Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
“Ne jemi të informuar për këtë. Menaxhmenti i KRU ‘Prishtina” është në proces të përgatitjes dhe bisedimeve për të vepruar”, thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
Kërkesa e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përfshin ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale.