Drejtori i Gjimnazit të Shkencave të Natyrës “Xhavit Ahmeti”, ai i Shkollës së Arteve Pamore, drejtoresha e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, “Thimi Mitko”, drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Agim Ramadani” dhe ai shkollës “Ramiz Cernica” tash e gjashtë muaj po vazhdojnë punën pa kontrata pune.
Krejt kjo pasi që kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyesni, nuk po i nënshkruan raportet e vlerësimit të performancës të nxjerra nga Komisioni i DKA-së dhe inspektorët e Ministrisë së Arsimit.
Drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku, ka më shumë se 6 muaj që pret vendimin e kryetarit Hyseni për vazhdimin e kontratës, derisa Inspekorati i Arsimit mori vendim që asaj t’i vazhdohet mandati deri në vitin 2028.
Derisa po priste kontratën e re në shkollën ku punon tash e 26 vjet, Sadiku pranoi një vendim të kryetarit Hyseni për transferimin e saj të përkohshëm në shkollën e fshatit Velekincë “Mulla Idriz Gjilani”.
Sadiku refuzon të shkojë në shkollën e fshatit Velekincë, pasi sipas saj dëmi më i madh është nëse mbetet pa drejtor shkolla e saj e cila ka 1 mijë nxënës më shumë se shkolla ku është marrë vendimi për transferimin e saj.
Prandaj, kundër këtij vendimi Sadiku më 12 shkurt është ankuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit, duke renditur arsyet se pse nuk pajtohet me këtë vendim. Ankesë kundër këtij vendimi, ajo ka dërguar edhe në Zyrën e Kryetarit.
Kiks Kosova ka kontaktuar me drejtoreshën e Arsimit në këtë komunë, Albana Demiri, por e njëjta nuk ka qenë e gatshme për t’u prononcuar rreth kësaj teme as pas dy javësh, sa e ka pritur emisioni.
Mirëpo, ajo na ka dërguar disa përgjigje me shkrim, ku thuhet se transferimi i Sadikut u bë, pasi që shkolla e Velekincës ka nevojë për profesionalizmin e saj, të paktën për gjashtë muaj.