Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë
“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur.” – thuhet në njoftim raporton REL.
Javën e kaluar kryeministri Kurti edhe zyrtarisht njoftoi se ka dhënë urdhër për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth Manastirit të Deçanit.
“Kërkohej vendim i arsyeshëm, por jo i drejtë. Megjithatë për të arritur një qëllim shumë më madhor e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet të bëjmë hapa përpara si vend sovran. Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme, kah mesi prillit është Asambleja Parlamentare, dhe në fund të majit është mbledhja e këshillit të ministrave”, ka thënë Kurti.
Në adresimin e tij para kabinetit qeveritar, ai ka treguar se pse e kanë kërkua një gjë të tillë.
“Një raport i juristëve eminent, dokument zyrtar i Këshillit të Evropës, ka konstatuar se Kosova është shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike. Raporti ka listuar disa kushte nga të cilat ka qenë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit të vitit 2016. Raporti është publik dhe nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ky ka qenë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Do të mbetet aty sot si kush pas 1 viti pas 10 vitesh. Pas një procesi masiv të vizitave, takimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë plotësuar, e disa janë jo rugjente. Por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i asamblesë parlamentare, nga grupet politike, nga shtetet e QUINT-it që ne duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimit në Këshillin e Evropës, apo heqja e agjendës nga anëtarësimi”, është shprehur Kurti.
Vendimi i Kurtit ka shkaktuar reagime të shumta, duke ditur qëndrimet kundërshtuese në të kaluarën ndaj këtij vendimi.
Ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se ky vendim ka qenë i koordinuar ndërmjet kryeministrit, presidentes Osmani dhe atij si kryetar i Kuvendit.
Kohë më parë Prokuroria e Pejës kishte nisur hetime për shkak të mos-zbatimit të këtij vendimi.