Ofendimet e sharjet janë të shpeshta në Kuvend.
Pos sharjeve, Kuvendi i Kosovës u komentua botërisht meqë edhe episodet e dhunës ishin të shpeshta.
Por, Kodi i Sjellës që do të shkojë për miratim së shpejti në Kuvend, pritet të shihet nëse do të ketë ndikim tek deputetët.
Ata që ofendojnë, shajnë dhe nxisin dhunë në seanca të Kuvendit, do të dënohen deri në 20 për qind të pagës bazë, derisa do t’iu pamundësohet edhe pjesëmarrja në tri seanca plenare.
“Kodi i sjelljes parasheh të themelohet një këshill i etikës brenda Kuvendit të Kosovës, që përbëhet nga deputetët me një balancë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ky këshill do të trajtojë ankesat e rasteve të paraqitur në lidhje me atë që pretendohet se është shkel kodi i sjelljes. Kodi i sjelljes parasheh shkelje të lehta dhe të rënda, në varësi të llojit të shkeljes janë përcaktuar edhe masat. Natyrisht për shkeljet e lehta janë parapa vërejtjen me gojë, me shkrim, publikimi i vërejtjes në ueb faqen e Kuvendit.”, deklaroi Adnan Rrustemi, deputet i LV-së.
Kodi parasheh sanksione edhe për veshjen e papërshtatshme.
“Ky kod po ashtu e sanksionon edhe kodin e veshjes, gjatë zhvillimit të punimeve të një seance plenare në Kuvend, deputeti apo deputetët duhet të kenë një veshje zyrtare e cila duhet të përcaktohet. Kodi i veshjes duhet të respektohet edhe nga pjesëmarrësit të tjerë”, tha Besnik Tahiri nga AAK-ja.
Përpjekjet që përmes kodit të sjelljes, Kuvendi i Kosovës të rregullojë një numër të problemeve po shihet si pozitivë nga monitoruesit e legjislativit.
“Në përgjithësi dokumenti synon të rregullojë prej sjelljes së deputetëve në kuptim të fjalorit që ata përdorin, deri tek veshja e tyre apo le të themi çështje të tjera si pranimi i dhuratave dhe vlera e dhuratave që ata pranojnë… Përmbajtja e tij fillestare ka qenë paska seksiste, në disa përshkrime ka lënë shije seksiste apo përcaktime joadekuate në kuptimin gjinor…Në aspektin e kodit të veshjes dhe përcaktimit të tyre, veçanërisht kundrejt deputeteve.”, deklaroi, Arbër Thaci, hulumtues në IKD.
Për hartimin e këtij kodi përveç ligjvënësve, kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.
Aktualisht Kuvendi ka Rregulloren e cila vlerësohet të jetë e përgjithshme, e që u miratua në korrik të 2022-tës, pas më shumë se një dekade që nga koha kur ishte miratuar rregullorja e kaluar e këtij institucioni./atvlive.tv/