Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin në 25 vjetorin e vrasjes nga forcat serbe.
Shkrimi i plotë:
“Lutë, u kry puna, fituam!”
Kështu më tha engjëlli im mbrojtës, avokati i mirënjohur kosovar, Bajram Kelmendi, gjatë vizitës në në burg, teksa po mbahesha nga regjimi i Serbisë si i burgosur politik. E pyeta çka ka ndodhur, më tregoi për masakrën e tmerrshme të Reçakut dhe sensibilizimin e shteteve aleate për ta ndalur fushatën gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Sot u bënë 25 vite kur u pushkatua engjëlli im mbrojtës, bashkë me dy djemtë e tij, Kushtrimin e Kastriotin.
Të faleminderit ty dhe bashkëshortes tuaj, Nekibes, me ndihmën e të cilëve mbijetova tmerrin e burgut dhe luftës. Popullin e shpëtuan, por Bajram Kelmendi dhe djemtë tij, me gjakun e tyre ranë dëshmorë nga hakmarrja e egër e shovinizmit dhe okupatorit. Lavdi e përjetshme!