Me 5 prill do të fillojë regjistrimi i popullsisë në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjet pozitivisht regjistrimit të popullsisë. Ai bëri të ditur se përpos regjistrimit të popullsisë, në këtë proces të regjistrimit të popullsisë është përfshirë pyetësori për dëmet e luftës 1998-1999.
“U bëj thirrje qytetarëve të Republikës që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë. Nuk kemi mangësi vetëm te shpërputhja e të dhënave [për krime lufte], por thjesht edhe te mungesa e tyre. Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-99 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjar të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur”, tha Kurti.
Kryeministri tha po ashtu se qeveria është afër funksionalizimit të Institutit për Krime Lufte, i cili do të adresojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, ne e kemi rritur bazën ligjore. Në Policinë e Kosovës, në të kaluarën krimet e luftës janë hetuar në kuadër të hetimeve të krimeve të rënda me gjithsej 19 zyrtarë. Me strukturën e re të miratuar, tashmë në Policinë e vendit tonë e kemi ngritur në nivele të drejtorisë së hetimit të krimeve të luftës me 41 hetues”, tha ai.