Kryetari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, përmes një statusi në ‘Facebook’, ka thënë se është duke u penguar puna e asambleve komunale shkruan Radio Star.
Kadriu ka thënë pushtetet lokale, komunat që qeverisen nga Vetëvendosje po favorizohen me shuma dhe me tejkalime buxhetore në krahasim me komunat që qeverisen nga partitë e tjera.
Shkrimi i plotë:
Tendenca e pushtetit aktual në nivel qendror ndaj pushtetit lokal pas humbjeve të zgjedhjeve lokale të vitit 2021 nga Vetëvendosje, po e pengon në mënyrë indirekte punën në qeverisjet e komunave dhe të asambleve komunale, duke bërë ndarje të pabarabart buxhetore.
Nga ajo që kemi parë nga shpërndarja buxhetore për pushtetet lokale, komunat që qeverisen nga Vetëvendosje favorizohen me shuma dhe me tejkalime buxhetore në krahasim me komunat që qeverisen nga partitë e tjera.
Në bazë të paraqitjeve dhe vizitave zyrtare shihet qartë prezenca fizike e zyrtarëve qeveritarë me tendenca të mëdha mbështetëse të njëanshme për komunat që qeverisen nga VV, në krahasim me komunat e tjera. Gjithashtu, edhe puna e kuvendeve komunale me trupat e tyre po pengohet në mënyra të ndryshme si p.sh. rasti i palogjikshëm i ligjit të ri të pagave, ku sipas të cilit trupat e kuvendeve komunale siç janë komitetet dhe komisionet, nuk do të paguhen fare.
Këto trupa janë krijuar nga ekspertë, të cilat kanë rol këshilldhënës dhe parapërgatitin të gjitha materialet që dërgohen në kuvend. Me një fjalë, ato janë një lloj filtri profesional i materialeve që dërgohen në kuvend. Me ligjin e ri të pagave këto trupa nuk paguhen dhe me këtë veprim të njëanshëm ato indirekt do të shuhen. Trupat e kuvendeve komunale janë të përafërta me trupat parlamentare.
Shtrojmë pyetje publike për qeveritarët: a është e mundur që Kuvendi i Republikës së Kosovës të funksionojë pa trupat parlamentare? Natyrisht se jo. As Kuvendi i Republikës së Kosovës e as kuvendet komunale nuk mund të funksionojnë si duhet pa këto trupa. Nxerrja e një ligji të tillë absurd ka bërë që komitetet nëpër të gjitha kuvendet komunale të mos jenë funksionale dhe në këtë mënyrë duke na bërë një dëm të madh në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.
U bëjë thirrje publike që ky ligj të plotësohet dhe sa më shpejtë të bëhen ndryshimet nevojshme në mënyrë që këto komitete të paguhen, sepse përmes tyre do të shtohet dinamika e punimeve dhe funksionimi i kuvendeve në të mirë të qytetarëve.