Shkruan: Avni Rudaku
Bilinica ose Bilishta është një fshat në skajet kodrinore-malore të Gjilanit, i kufizuar me Dobrosinin me shumicë shqiptare, zyrtarisht në Republikën e Serbisë, dhe brenda Kosovës, afër me Pogragjën, Stublinën e Sllubicën. Duket në vijë ajrore edhe fshati piktoresk Llovca. Është fshat i veçuar, me natyrë shumë të bukur e pjellore-bujqësore e blegtorale. Fshat ndërkufitar.
Prej kohësh, Bilinica ka qenë mjaft e anashkaluar, tamam siç është në skaj, gjeografikisht. Këtë muaj, dolën fotografitë e asfaltimit të disa rrugëve të lagjeve rurale të Bilinicës, ku ishin përzgjedhur fotografitë më artistike nga pushteti komunal, për ta dhënë mesazhin te publiku, se ishte bërë një investim i shkëlqyeshëm infrastrukturor, por ishte më shumë propagandistik.
Për disa vjet e kam vizituar me biçikletë këtë fshat dhe shkova dje me shokun tim të ngushtë, por kësaj radhe me veturë. Sapo hymë në fshat, u dëshpëruam shumë. Rruga kryesore përveç që është e ngushtë, nuk ishte prekur fare. Rruga kryesore ishte pa trotuarë anash dhe pamë shumë fëmijë duke u argëtuar në rrugën kryesore të Bilinicës, ku kalojnë veturat, pavarësisht se janë të rralla. Ajo që na zhgënjeu edhe më shumë, por edhe banorët që takuam, ishte mosrregullimi i kanalizimit fekal anash, kundërmimi gjatë verës dhe mungesa e asfaltimit total edhe të rrugicave të lagjeve të tjera në Bilinicë. Kundrejt anashkalimit total nga qeverisjet e kaluara të Qemajl Mustafës e Lutfi Hazirit, asfaltimi dosido nga qeverisja e Alban Hysenit ishin të mirëseardhura, por zhgënjyese ishte investimi i pjesshëm infrastrukturor me mbetje të kundërmimit dhe pa trotuarë.
Fshatrat ndërkufitare kudo në botën e zhvilluar, kanë prioritete në investime, për të motivuar edhe më shumë ngulitjen në fshatra. Bilinica nuk ka bimë që nuk e bën. Edhe blegtoria është fantastike. E pamë edhe një bari para moshës së pensionimit, duke i ruajtur disa lopë të mrekullueshme. Takuam shitësin në shitoren e vetme në Bilinicë, shumë të mirësjellshëm dhe nuk na shiti pupagjelat, sepse dyshoi që kanë mundur të jenë moti kohë në raft. E takuam edhe një bujk që kishte humbur sasi të mëdha të grurit, vitin e kaluar, për shkak të reshjeve të tepërta në kohën e pavolitshme dhe ishte i zhgënjyer me subvencione minimale prej 600 eurosh, e që veç për pleh, i shkuakan aq shumë mjete financiare, e lëre më për të tjera materiale e pajisje agrare.
Bilinica është fshat tërheqës turistik jo vetëm nga banorët e Gjilanit, por vijnë edhe nga Prishtina e Lipjani, duke u organizuar piknikët në natyrë nga shumë familje dhe na tregoi bilinicasi se, nga pakujdesia e disa turistëve lokalë, ishte ndezur një zjarr i madh, duke u rrezikuar shumë natyra e bukur e Bilinicës, duke ndërhyrë me shpejtësi edhe banorët.
Qeverisja e Alban Hysenit duhet urgjentisht të intervenojë në rrugën kryesore, në ndërtimin e trotuarëve dhe rregullimin e kanalizimit, asfaltimim e rrugicave të mbetura, rritjen e subvencioneve, ndërsa “Hidromorava” duhet të ndërhyjë në pastrimin e ujit të pijshëm, pasi përkundër rregullimit të pjesshëm të ujësjellësit, uji nuk përdoret nga banorët dhe ka dëmtuar bojlerët e banorëve (ngrohësit elektrikë të ujit), pasi nga uji krijoheshin guralecë që krijonin avari dhe i dilnin mjaft punë riparimi bojlerëve, mjaft shpesh, për t’i dëlirë dhe pastruar nga këto materiale fizike-kimike.
Investimet janë të mirëseardhura, por ato duhen të jenë të plota. Bilinica duhet të jetë kryeprioritet. Jo me investime shkel e shko për shkrepje të edituara artificiale e pushtetare.