Që nga 3 prilli i këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, e ku pjesë janë edhe këmbësorët. Policia e Kosovës ka njoftuar se këmbësorët që nuk e respektojnë ligjin do të gjobiten me 50 euro.
Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 3 prill 2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, ku në këtë ligj përfshihen edhe këmbësorët.
Policia ka bërë të ditur se kalimi i rrugës jashtë vendkalimeve të shënuara për këmbësorë apo kalimeve të veçanta, mund të bëhet vetëm në rastet kur vendkalimi më i afërt për këmbësorë është më larg se 50 metra në vendbanime dhe më larg se 100 metra jashtë vendbanimeve.
Sipas PK-së, mosrespektimi i kësaj rregulleje ndëshkohet me gjobë prej 50 euro.
Policia i ka këshilluar këmbësorët t’i përdorin vendkalimet e tyre, ta respektojnë semaforin, në rrugët pa trotuare të ecin në anën e majtë dhe se për sigurinë e tyre të veshin rroba të ndritshme.