Kryetari i degës së AAK-së në Gjilan, Nazim Gagica, mori pjesë sot në përkujtimin e të rënëve në masakrën e Llashticës shkruan Radio Star.
Pasi vendosi lule te varrezat e të rënëve, Gagica tha se Llashtica është Reçaku i vogël i kësaj ane dhe armiku nuk kishte kursyer gra e pleq, as fëmijët, madje as foshnjat tri javëshe.
Shkrimi i plotë:
Kujtuam e nderuam sot martirët e kombit në 25-vjetorin e masakrës së Llashticës në Gjilan.
Secila datë në secilin muaj në kalendarin vjetor, shënon një e më shumë ngjarje në historinë tonë të lavdishme. Llashtica është Reçaku i vogël i kësaj ane. Armiku nuk kishte kursyer gra e pleq, as fëmijët, madje as foshnjat tri javëshe.
Liria e ka çmimin e saj të madh, e këtë e dëshmon Llashtica e Zhegra, Llovca e Lladova, e dëshmon Anamorava e Kosova.
Lavdi gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës në secilën etapë të historisë sonë!