Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën kryesimin e Kushtrim Kadriut, ka shqyrtuar dhe ka rekomanduar për Kuvend, raportin financiar janar-mars 2024, të cilin e ka prezantuar në pika të shkurtra, Ilmi Limoni nga Drejtoria e Buxhetit, i cili ka thënë se trendët e kësaj periudhe, sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve, janë pak a shumë të njëjta me tremujorët e parë të viteve të kaluara.
Ndërkaq, propozimi për lejimin e rritjes së buxhetit nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara të vitit 2023, nuk mori votat e mjaftueshme për t`u proceduar tutje, pasi opozita e cila përmban shumicën në KPF, pati vërejtje se po bllokohen disa projekte, të cilat janë përfshirë në buxhet si propozime të saj në Kuvend.
Për Kuvend u rekomanduan edhe propozimi për rishqyrtimin e vendimit sa i përket përbërjes së Komitetit për Politikë dhe Financa, sipas kërkesës së MAPL, plani lokal i veprimit për cilësi të Ajrit, pastaj emërimi i Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, emërimi i Komisionit për përcaktimin e listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, emërimi i Këshillit komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë.
Njëherësh, KPF rekomandoi për Kuvend edhe Informatën rreth manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2024, Informatën rreth mbjelljeve pranverore, propozimin për diskutim rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara si dhe propozimin për diskutim rreth organizimit të trafikut publik brenda qytetit të Gjilanit.
Po ashtu u përkrahen edhe dy propozime të opozitës për t`u rekomanduar për Kuvend edhe raporti i komisionit për themelimin e këshillave lokalë, përkatësisht kërkesa për të ofruar një raport sa i përket fillimit të punimeve në rrugën “Hamdi Kurteshi”.
Raportet e punës të ndërmarrjeve lokale “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe “Ecohigjiena” u hoqën nga rendi i ditës, me arsyetim se, siç tha kryesuesi Kushtrim Kadriu, nuk janë dërguar paraprakisht materialit për këtë pikë.