Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar pas dështimit të sotëm të iniciativës qytetare për largimin e kryetarëve në komunat veriore të vendit.
Krasniqi në “X” tha se përkundër që u sigurua infrastruktura dhe mundësia që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik, Lista Serbe dhe Beogradi sipas tij, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore.
“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga int. komunitetit”, tha Krasniqi.
Ndryshe, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në konferencën për medie pas mbylljes së vendvotimeve në komunat veriore të vendit, ka njoftuar se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve në këto komuna ka dështuar.
“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, tha ai.