Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ai i Freedom House i kanë dhënë goditje të madhe Kosovës në imazhin ndërkombëtar.
Ai ka bërë thirrje që sa më parë Kuvendi të shpërndahet dhe të shkohet në zgjedhje.
“Këto dy raporte i kanë dhënë një goditje jashtëzakonisht të madhe imazhit tonë ndërkombëtar. Ju bëj thirrje që sa më parë ta kemi konsensusin, ta shpërndajmë Kuvendin dhe ta çojmë vendin në zgjedhje, t’i japim vendit një qeveri që e nxjerr në radhë të parë nga sanksionet dhe i jep një perspektivë vendit tonë”, tha Tahiri.
Poashtu, deputeti i PDK-së tha se 1/3 e ministrave të kësaj qeveria janë nën hetime për afera korruptive.
Sipas tij, “nuk ka pasur qeveri që i mbron me kaq zell ministrat dhe zëvendësministrat e saj të korrupstuar”.
“…1/3 e ministrave të kësaj qeverie janë nën hetime për afëra korruptive, pra 1/3 apo pesë ministra të kësaj qeverie dhe një zëvendëskryeministre dhe një zëvendësministre, të dënuara nga kapitulli i veprave për korrupsion….Asnjëherë nuk ka pas rezistencë më të madhe në Kuvendin e Kosovës për të themeluar komisionet hetimore për aferat korruptive. Asnjëherë nuk ka pas në Kuvend të Kosovës që i mbron me aq zell ministrat dhe zëvendësministrat e korruptuar”, deklaroi Tahiri.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra pati kritika për qeverinë Kurti.
Blerta Deliu Kodra tha se kryefjalë e raportit është korruspioni serioz në këtë qeveri.