Shitësit në Tregun e Gjelbër me pakicë në kryeqytet po ankohen se kohëve të fundit po kanë më pak punë. Këta vlerësojnë se ka rënë fuqia blerëse, madje edhe për produkte bazike.
Mirëpo e pranojnë se u është dashur t’i ngritin çmimet.
“Janë rritur çmimet, nuk ka shitje , nuk ka njerëz, rrugët janë shpraz. Është shqetësuese sepse njerëzit kanë shku jasht. Nuk ka punë as 20% qysh ka pas viteve te kalume”, thotë B.Ramadani, shitës.
Në anën tjetër, ankesa kanë edhe blerësit. Sidomos pensionistët, që thonë se çmimet janë bërë të papërballueshme për ta.
“Shumë shqetësuese duke e dit gjendjen ekonomike të popullatës, kryesisht unë si pensionist që nuk ka rritje të pensioneve me vite. Është shumë e vështirë me i përballu këto çmime, inflacioni e bën të veten”, tha A.Vushtica, blerës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacionin për muajin mars ishte 2.3%.
Ekonomisti Medain Hashani konsideron se trendi i shtrenjtimit të produkteve po i dëmton qytetarët. Ndërsa ka kritika për qeverinë që, sipas tij, nuk ka punuar në adresimin e këtij shqetësimi.
“Nëse i analizojmë punën qeverisë prej momentit kur e ka marrë mandatin si qeveri dhe deri tani, inflacioni mundemi me thanë që në shportën familjare është 60%. Nëse analizojmë në aspektin e kostos së lartë që janë rrit çmimet në përgjithësi tregon që nuk është vetëm 2.3%, po është më i lartë. Kjo është ai sinjali që i ka ndezur qytetarët të kenë ankesa në këtë aspekt sepse asnjë masë nuk është ndërmarrë nga ana e qeverisë”, tha Hashani.
Megjithatë, ka qytetarë që çmimet në treg u duken të arsyeshme.
“Rritja është e lartë dhe nuk është shumë e lartë, pak gjera ka që janë mbi një euro. Ai që punon ka, ai që nuk punon i duket shtrenjta”, tha G.Berisha, blerës.
Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, nga produktet bazike ushqimore, më së shumti janë shtrenjtuar pemët, me 9.8%, krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar.