Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Policia e Kosovës me anë të informacionit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) arriti të konfiskojë një sasi të madhe armatimi në pjesën veriore të Kosovës.
Sveçla me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se po i çrrënjosin “mbetjet kriminale të Milan Radoiçiqit”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona”, ka shkruar ai.
“Mbetjet kriminale të Milan Radojçiqit po i ç’rrënjosim nga veriu i vendit tonë. Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve. Të njejtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq”, përfundon postimi i tij.