Qeveria e Kosovës ka thënë se takimi i sotëm në Bruksel u keqpërdor nga pala serbe dhe si pasojë përfundojë pa ndonjë rezultat.
Në një komunikatë për media pas takimit thuhet se Kosova ka dhënë komentet pa prekur substancën e propozuar nga Lajçak.
“Edhe në këtë takim ishte paraparë të bisedohej mbi gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë, nga komuniteti serb në Kosovë, i prezantuar dhe si mundësia e fundit që palët të dakordohen. Fatkeqësisht, edhe ky takim i radhës u keqpërdor nga pala serbe e nuk solli rezultat. Paraprakisht, nga palët pritej që të vijnë me komente në draftin e propozuar nga emisari Lajçak në takimin e mbajtur në fund të muajit prill, komente të cilat do të tregonin gatishmërinë tonë që të lëvizim drejt propozimit të ndërmjetësuesit. Pala kosovare ka bërë komentet e saj, përmes të cilave ishim afruar drejt një zgjidhjeje finale brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht pa prekur substancën e propozimit të z. Lajçak. Serbia, i është përgjigjur me komente tërësisht të reja, si propozim i ri, dhe jo vetëm duke u larguar nga propozimi i emisarit, por edhe nga vetë pozicionet e mëparshme të palës serbe”, thuhet në komunikatë.
Sipas Qeverisë, pala serbe dha propozime që synojmë legalizimin e strukturave paralele qe veprojnë në Kosovë.
“Përpjekjeve tona për integrim të komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj tani me kërkesën eksplicite që të kalohet nga një sistem paralel ilegal, në një sistem paralel, por legal. Pra kalimi në një sistem ku paralelizmi siguron mosintegrim dhe prezencë të Serbisë në Kosovë përmes institucioneve të saj, gjë kjo e papranueshme për palën tonë”, thuhet nga Qeveria, duke theksuar se Kosova përmes kryenegociatorit të saj, shprehu keqardhjen për këtë regres, ndërkohë që gjatë negociatave ka qenë e dukshme tërheqja e qëndrimeve të Serbisë edhe nga vetë pozicionimi i saj dhe komentet të dërguara në këtë javë, andaj bëhet e qartë se ka qenë taktikë e Serbisë që të pamundësohet një zgjidhje për këtë situatë.