Policia e Kosovës ka konfirmuar se Enver Sekiraqa është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, ku Apeli dy ditë më parë kishte vendosur që atë ta kthejë në paraburgim.
Tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.
Kërkimi i tij filloi pas një aktvendimi të pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit, Enver Sekiraqa.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, kanë thënë nga policia për IndeksOnline.