Kthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë i ka shqetësuar liderët e shteteve të Evropës, kryesisht për shkak të ndërrimit të egër dhe të papritur të politikave të ish-presidentit amerikan, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një intervistë për “Semafor”-in.
Kurti në këtë intervistë e ka pranuar se edhe ai ka marrëdhënie të dobëta me Richard Grenellin, ish-emisarin e Trumpit për bisedimet paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shtuar se do të jetë “sfiduese” nëse Grenelli siguron një pozitë të lartë në politikën e jashtme apo në sigurinë kombëtare në administratën e re të mundshme, përcjell Reporteri.net.
Kurti u ka bërë thirrje shteteve perëndimore që të lehtësojnë shtegun e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke përmendur shpenzimet e mbrojtjes deri në 2 për qind të GDP-së, cak i vendosur nga aleanca ushtarake për anëtaret e saj.
“Meritojmë më shumë”, ka thënë Kurti, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Semafor” shkruan se rreziku nga kriza gjeopolitike në Ballkan është shqetësim i vazhdueshëm për Perëndimin: Kosova dhe Serbia.
Kurti në këtë intervistë ka thënë se polarizimi i “paprecedentë” në Shtetet e Bashkuara vazhdimisht është çështje e liderëve të Evropës, të cilët po bëhen gati për paqartësi në politikën amerikane, ashtu siç janë edhe politikanët amerikan.
“Ka disa aspekte të qeverisjes, politikëbërjes dhe opinionit publik me të cilat SHBA-ja në ditët e sotme po përballet për herë të parë,” tha ai.
Duke folur në margjinat e një ngjarjeje në institutin ODI për çështjet globale në Londër, Kurti tha se mbështetja afatgjatë e SHBA-së për Kosovën nuk ka gjasa të ndryshojë, por “me kthimin e presidentit Trump… ka njëfarë stresi dhe ankthi në të gjithë kontinentin, dhe Kosova nuk është ndryshe.”
Çështja, vazhdoi ai, nuk ishte se “diçka e keqe mund të ndodhë”, por më tepër “ankthi për diçka të panjohur”. E thënë thjesht: “Çfarë do të bëjnë ata [Shtetet e Bashkuara] dhe si do të mendojnë, dhe se si një urgjencë e caktuar mund të rrëmbejë të gjithë agjendën, kjo është ajo për të cilën njerëzit shqetësohen më shumë”.