Kur Rifat Latifi, ish-ministër i Shëndetësisë i duhej të shkonte diçka për në Amerikë, në pikun e luftës me Covid-19, Qeveria Kurti e kishte arsyetimin në xhep dhe e nxori shpejt: do të punonte online. Por as puna online, as telefoni e as pëllumbi i shkruar, nuk iu kreu punë si mjet komunikimi – për ta informuar Presidenten Osmani se nënshkrimi i saj në Letrën e Garancive nuk kishte më kurrëfarë vlere dhe se qerrja ishte vendosur para kalit…Dhe se kafja po pihej pa filxhan.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ia testoi sot kufijtë e durimit Presidentes Vjosa Osmani, kur e trajtoi si një fëmijë: se ajo ndodhej larg, shumë larg në Amerikë, në ditën kur ministrja Donika Gërvalla çoi letër në Këshillin e Evropës me një zotim për një Draft Asociacioni.
Me stilin ironik, që në çdo rrethanë lë hapësirë interpretimi nëse e pati përnjëmend ose me hajgare, Konjufca vendosi ta jap përgjigjen në pyetjen që e kemi secili tash e shumë ditë: pse Preisdentes Osmani iu mor nënshkrimi për Letrën e Garancive për në Këshillin e Evropës, por nuk ia sollën numrin e telefonit kur e zhbënë atë Letër?
Puna është kështu: në ditën kur Vjosa Osmani publikonte fotografi të stilit ëestern nga Teksasi, me sheshir në kokë e kali në prapavijë, kryeministri Kurti e vendosi qerren para kalit. Këtë punë, proceduralisht, ia kishte lënë sherifes më të re në qytet: Donika Gërvallës.
Mëngjesin e 17 majit, znj.Gërvalla dërgon një letër në Strasburg, me qerren para e kalin prapa, e ku i thuhet Këshillit të Evropës së Kosova merr përsipër ta bëj një Draft Asociacioni në frymën e atij të FES-it të kundërshtuar e kundërthënës.
Konjufca dhe Kurti atë ditë ndodheshin në Kosovë në një vijë ajrore jo shumë të largët nga ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me gjasë, qenë të informuar për letrën, apo jo?
Ironia goditëse dhe shpërfillëse e Konjufcës ndaj Osmanit, trashet edhe më shumë kur kujtojmë se Presidentja atë ditë ishte në atdheun e teknologjisë: ngat’ Pentagonit, Sillicon Valleyt, në hava plot satelitë Starlink, Tesla udhëve, Google, Microsoft, e çkamos tjetër; çkado që ju bjen në mend që asocon me teknologji.
Dhe me të drejtë, Osmani shpërthen kësisoji: Është viti 2024, mungesa e mundësisë së informimit, nuk është arsyetim dhe ta përdorësh si arsye, më e pakta është nënçmim.
Përtej informacionit të ditur tashmë rreth lëkundjes së raporteve Kurti – Osmani, kjo e fundit, në stilin e saj urbi et orbi, ani pse nuk kishte një adresim specifik, por e pyetur nga një gazetare, shpërtheu si kurrë më parë dhe bashkë me shpërthimin e tha të vërtetën që s’fshihet më nën tepih: se Kurti e nxori Asociacionin nga Pakoja.
Dhe këtu, tash fillon gjithçka.
“Kjo nuk është bisedë për telefon” -është poezia e poetit të famshëm polak Stanislaw Barańczak e vitit 1983 dhe flet për spiunazhin e atyre viteve të rënda.
“Le të shtiremi sikur është, por kjo nuk është bisedë për telefon”, fillon disi kështu poezia.
Sepse, le të shitremi sikur është, por një çështje e rëndësishme si ajo e Këshillit të Evropës, kur ti ia merr nënshkrimin Presidentes, e bën zotues mes nënshkrimeve në një Letër të gjatë zotimesh dhe pënjëherit e zhbën atë letër –pa e njoftuar se nënshkrimi i saj më nuk ka kurrëfarë vlere (sa nënshkrimi im në të), kjo –përnjëmend – nuk është bisedë as për telefon. As n’vesh me ta thënë.