Nga:Kujtim Sadriu
Kur vlen parimi i fituesit dhe imponimi i kryetarit?!
Votimet janë një proces i rëndësishëm shoqëroro-politik, të cilat vijnë në çdo katër vjet. Në një shoqëri me demokraci funksionale, procesi zgjedhor duhet të jetë i hapur dhe transparent. Zgjedhjet për pushtet lokal, qytetarëve u japin mundësinë për të zgjedhur ato, që ata mendojnë se janë më të aftë për të përfaqësuar interesat e tyre.
Për dallim nga vendet e tjera, ku proceset zgjedhore nëpër mandate priten me gëzim të madh për të ndodhur ndryshimet, mjerisht në Luginë të Preshevës ndodh e kundërta.
Procesi zgjedhor në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pritet me shqetësim, frikë, pasiguri, ngase qoftë para fushatës zgjedhore, qoftë edhe gjatë saj, bëhen plane politike se si të caktohen para kohe fituesit e zgjedhjeve, kryesisht kandidatët për kryetar komune.
Këto imponimi nga jashtë, ose brenda koalicioneve parazgjedhore dhe paszgjedhore, krijojnë huti, mosbesim dhe mosinteresim për dalje të kënaqshme të votuesve në zgjedhje. Nëse para zgjedhjeve dihet fituesi me imponim, atëherë nuk janë interesant proceset zgjedhore. Pastaj në këtë drejtim vijnë ato që ndodhin shpesh me manipulimin me votës përmes blerjes me para, vjedhjes dhe kontrabandës me verdiktin e qytetarëve.
Mbështetja publike e kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, për kandidatët e mundshëm për kryetar komune në Preshevë dhe Bujanoc, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, ku dy prej tyre janë edhe këshilltarë politikë në Qeverinë e Kosovës, paraqet një zhgënjim te marrëveshja e koalicionit paszgjedhor mes tri partive PVD-PD dhe LPD në Bujanonc, si dhe në Preshevë koalicionin paraprak PVD-PDSH si dhe partitë e tjera politike e qytetarët në përgjithësi.
Këto imponime nga jashtë për mbështetjen e kandidatëve për kryetar të mundshëm të komunave ka ngjallur edhe një përçarje patologjike për atyre që garojnë për pushtet lokal dhe votuesve.
Tubimi mbështetës i PVD –së për zgjedhjet në Luginë, që do të organizohet pesë ditë para zgjedhjeve për pushtet lokal në Luginë të Preshevës, i përngjanë Tubimit në Gazimestan kur serbët i kremtonin humbjet, për të caktuar para kohe fituesin në zgjedhje: Ragmi Mustafin për Bujanoc dhe Ardita Sinanin në Preshevë.
Në këtë tubim me karakter zgjedhor do të marrë pjesë kryeministri Kurti dhe disa aktivistë të tjerë të VV, për të mbështetur dy kandidatët e mundshëm për kryetar komune në Bujanoc dhe Preshevë. Kjo është hera e dytë e kryeministrit Kurti, që del publikisht për të përkrahur kandidatët e PVD-së, pas Shaip Kamberit për deputet në Parlamentin e Serbisë.
Ia kujtojmë kryeministrit Kurti, se PVD-ja e Riza Halimit, gjithmonë, ka qenë në të kaluarën një repart i LDK-së, tani në krye të së cilës është Shaip Kamberi, është bërë një krah i zgjatur i VV-së, që dmth, në një të ardhme jo të largët, nuk është çudi që shkurtesa V në mes të PVD-së, ta marrë ngjyrën e partisë së kryeministrit Kurti, mbetet të shihet pas zgjedhjeve!