Shkruan: Avni Rudaku
Varrezat e qytetit të Gjilanit janë dukshëm më të pamirëmbajtura, më të shëmtuara, se ato në fshatrat e komunës, ku të vdekurit pushojnë nën hijen e pemëve, me organizim të mirë të banorëve të fshatrave që përkujdesen për heqjen e bimëve të egra e prerjen e barit të pashëm. Në fshatrat e Gjilanit, ku mirëmbajtja kryesisht bëhet nga vetë komuniteti rural, varrezat janë edhe të bukura, edhe të rregulluara siç duhet. Fatkeqësisht, në qytetin me mbi 90 mijë banorë sipas regjistrimit të kaluar nga ASK-ja, si varrezat serbe (poshtë), si varrezat e shumicës shqiptare në Gjilan (lart), nuk mirëmbahen siç është e domosdoshme. Përvoja me vendet perëndimore ka treguar se varrezat duken si kopsht, si park estetik, ka ulëse e pushimore për familjarët që përkujtojnë më të dashurit dhe mirëmbajtja e tyre nuk shkakton frikë, shqetësim e pasiguri publike.
Varrezat e Gjilanit janë pa renditje të duhur të varreve, varr mbi varr, bari i egër dhe mbeturinat kudo, me rrethoja që të vrasin fushëpamjen dhe janë të stërmbushura e të stërmbingarkuara, pa rrugica të volitshme brenda zonës së varrezave.
Kohës së fundit, u trondita shumë nga rasti i një përdhunimi dhe grabitjeje, nga autorë të paidentifikuar ende. Zona është pa kamera të sigurisë publike, ka errësirë dhe nuk ka pasur dëshmitarë në natën vonë në këtë zonë, duke vështirësuar hetimet e gjetjes së autorëve të krimit të dënuar rëndë me Kodin Penal të Kosovës. Ato gjithmonë shkaktojnë shqetësim për fëmijët kah kalojnë andejpari, besa edhe për të rriturit, madje përballë tyre është edhe shkolla fillore e lagjes “Arbëria”, afër Bregut të Djegur me shumë banesa sociale. Disa edhe kanë frikë të veçantë për të kaluar kah varrezat, për një sërë faktorësh bestytnikë të rritjes kulturore prindërore, faktorësh psikologjikë etj.
Zona e varrezave është bërë edhe zonë abuzimesh me droga dhe sjellje delikuente. Krimi lulëzon mbi varre, sepse rritet anonimiteti kur ka errësirë dhe nuk ka përkujdesje institucionale e komunitare për atë zonë. Zakonisht, krimet rriten në lagjet pa ndriçim publik, në shtëpi të braktisura, larg qarkullimit të veturave e këmbësorëve, pak a shumë ngjashëm me zonën e varrezave të Gjilanit.
Komuna e Gjilanit, si nga qeverisjet e kaluara të LDK-së, PDK-së e sërish LDK-së, dhe tash edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, ka dështuar të krijojë standarde të vendeve të zhvilluara, se si mirëmbahen varrezat e qytetit.
Ka nevojë urgjente të ndryshimit të mentalitetit institucional e komunal mbi varrezat e qytetit. Diskutimet për krijim të zonave të rejave për varrezat e stërngarkuara të qytetit kanë vazhduar sistematikisht, por nuk kanë ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe të volitshme. Qyteti është zgjeruar e rritur me migrimet rurale-urbane, migrimet ndërkomunale, ndërtimin e objekteve banesore etj. Përveç krijimit të zonës së re për varre të reja, ka nevojë për ndërhyrje dhe mirëmbajtje të vazhdueshme në varrezat ekzistuese, duke pasur rend në hapje të varreve, vendosjen e standardeve të gurëve mbivarrorë, prerjen e barit të butë, heqjen e barit të egër me rrënjë, pastrimin e mbeturinave. Jo vetëm varrezat e shumicës shqiptare, por edhe ato të komunitetit serb, janë në gjendje të mjerueshme.
Varrezat duhen t’i përngjajnë parkut, kopshtit, bahçes. Të kenë ndriçim jashtë perimetrit dhe brenda tyre, veçmas me energji solare për të kursyer energjinë. Kujdesi sistematik ndaj varrezave të qytetit, e ulë krimin dhe abuzimin me droga, ofron siguri publike, redukton fobinë dhe frikën e kalimit përreth varrezave. Redukton nevojën për të marrë taksin, vetëm për ta kapërcyer pjesën e varrezave. Nuk kanë nevojë fëmijët që detyrimisht të shoqërohen nga prindërit, nga frika për të kaluar kah varrezat.
Varrezat e Gjilanit, aktualisht jo vetëm janë zonë e shëmtuar, por edhe zonë krimi. Përgjegjësinë kryesore e mbajnë institucionet lokale për intervenim urgjent dhe krijim të praktikës për mirëmbajtje të vazhdueshme. Se si mirëmbahen varrezat, tregon edhe për kulturën institucionale të atij vendi. Deri më sot, kemi treguar se jemi larg standardeve të vendeve të zhvilluara. Ende frikësohemi të kalojmë kah varrezat, jo vetëm për shkak të besëtytnive kolektive e fobive individuale, por edhe për shkak të errësirës, mbeturinave, barit të egër.