Fjala e Nevzad Isufit, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjës Vetëvendosje, në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal në Gjilan/
Pyetja që do të shtroj unë ka të bëjë me organizatën Ekohigjiena sh.p.k. e cila bie në domenin e shërbimeve publike, pra Ekohigjiena më 1 maj 2018, në dalje të fshatit Stanishor, me disa punëtorë dhe me prani të policisë, ka shpërndarë, dëftesa me çmim 1 euro për çdo veturë, automjet të kalimtarëve që qarkullon në rrugën që shkon për Artanë ose kudo në fshatrat e saj, apo qoftë edhe tranzit, në kalim për në Llabjan, Prishtinë ose edhe Dardanë. E gjithë kjo është bërë në emër të mirëmbajtjes së ambientit e që qenka e bazuar në ligj dhe e bazuar në marrëveshjen ndërmjet komunës së Novobërdos dhe Kompanisë Ecohigjiena dhe se kjo marrëveshje e bërë më datë 1-8.05.2016, paska nr. e protokolit 268/16.
Unë kam një dëftesë me numër 2618, të lëshuar nga punëtorët e kësaj kompanie, të cilët unë nuk i fajësoj, sepse ata i janë përgjigjur urdhëresës së dikujt, ndërsa do të duhej të kishin ditë pushimi si të gjithë punëtorët tjerë. Pra, po kërkoj sqarim për çfarë mirëmbajtje bëhet fjalë, kur njerëzit kanë kaluar si në çdo rrugë tjetër, qoftë duke shkuar në shtëpitë e tyre, qoftë duke shkuar në vilat e tyre apo edhe duke kaluar kalimthi për të shkuar në Prishtinë ose Dardanë? A nuk është kjo në plaçkitje e qytetarëve në një ditë pushimi, duke krijuar rende të gjata pritjeje të veturave e mjeteve tjera të udhëtimit, sikur të kishim të bënim me ndonjë pikë doganore? Pra ne dëshirojmë të shohim këtë lloj marrëveshjeje, e cila pa u kryer asnjë shërbim, u kërkon qytetarëve të paguajnë një tatim, sikur të kishim të bënim me ndonjë taksë autostrade.
Jam shumë i sigurt se sikur t’u kërkohej kjo taksë njerëzve të vendosur në hapësirat publike jashtë rrugës në natyrë, do të duhej konsideruar normale dhe qytetarët do të paguanin pa ndonjë problem, madje edhe vullnetarisht, si kontribut për mirëmbajtje, por jo në këtë formë, vetëm pse kalojnë nëpër rrugë, taksë të cilën çdo qytetarë e paguan me rastin e regjistrimit të veturës.
Në pyetje tjetër lidhet po ashtu me shërbimet publike por edhe drejtorinë e inspeksionit. Ka një muaj që në Rr. A. Presheva një ndërtues, duke dashur të ndërtojë në një pronë private, ka dëmtuar rrugën publike, njërën vij-shirit të qarkullimit publik dhe një pjesë të trotuarit, duke krijuar një gropë të thellë afërsisht dy metra, pa e siguruar atë, pa sinjale ndriçuese natën, duke e lënë ashtu, me çka përpos që po pengon shumë qarkullimin që është mjaftë i madh, sepse kjo rrugë del në të ashtuquajturën qarkore, por është rrezik edhe për automjete dhe kalimtarë. Po ashtu dheu i grumbulluar nga shirat që bie, rrëshqet në një rrugë tjetër dhe pengon qytetarët banues në shtëpitë më poshtë. Me këtë rast është zbuluar edhe gypi kryesori ujësjellësit me kapacitet të madhe që vjen nga penda e Përlepnicës.
Kush ka dhënë leje që kjo të bëhet dhe kush është përgjegjës për këtë, ngase qytetarët janë të revoltuar dhe janë të gatshëm edhe ta bllokojnë edhe rrugën në tërësi në shenjë pakënaqësie.
Një pyetje për kryetarin lidhet me spektaklin e datës 22.05.2018, ku në hyrje të rrugës së lagjes Porodinë, keni filluar, siç thoni Ju, implementimin e rrjetit të ri të ujësjellësit për këtë lagje dhe për pjesën e djathtë të rrugës qarkore. E gjithë kjo u bë për të bërë një reklamë pasi që mihja e 2-3 metrave kanal dhe vendosja e një gypi zgjatën vetëm sa për të bërë një fotografi të Kryetarit dhe disa zyrtarëve të tij, sepse menjëherë gypi u tërhoq, kanali u mbulua dhe sot nuk duket asnjë gjurmë pune, përpos tabelës me mbishkrime të komunës , emrit të kompanisë së qeverisë zvicerane, Hidromoravës, dhe ndërmarrjes sh.p. k. Teuta-M, si punëkryes, ndërsa nuk ka as datën e fillimit dhe as të përfundimit.
Ky projekt 500 mijë eurosh, që sipas komunë filloi më më 22 maj, pra ua shpjegova mënyrën se si filloi, a nuk është ky një mashtrim i qytetarëve në pikë të ditës, apo ato faotgrafi ia keni dërguar donatorit, për ta bindur për fillimin e punëve?!. Ndërsa me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së komunës së Gjilanit me CDI-DORSCH-it –zyrës së qeverisë zvicerane me 19 dhjetor 2017 flitej për marrëveshjen me vlerë 800.000 euro, ndërsa tash qenka zbritur në 500.000 euro. Ku u avulluan 300.00 mijë euro, kur asnjë punë as që ka filluar? Atë botë kryetari pat thënë: “punimet pritet të fillojnë shumë shpejtë” E kuptoni pra çfarë do të thotë fjala “ shumë shpejt” për Kryetarin e komunës tonë dhe institucionet e komunës, sepse këtë shprehje ne e dëgjojmë shpesh, sa herë që nuk dihet data e fillimit a mbarimit të një pune. Pra “shumë shpejtë” do të thotë 19 dhjetor 2017 -22 maj 2018 edhe pse asgjë s’ka filluar ende, pos reklamës, kjo do të thotë se mund të zgjas edhe më.
Për dijeninë tuaj lagjja Porodin ka 10 vjet që ka ujësjellës, e që këtë e ka bërë me vetorganizim, por ajo nuk ka rrjetë kanalizimi dhe rrugë, për të cilat kryetari Haziri i ka premtuar gjatë mandatit të kaluar qeverisës dhe në këtë mandat, por ende çdo gjë ka mbetur vetëm një premtim i zbrazët.
Kjo shprehje “shumë shpejt” lidhet edhe me punët tjera në infrastrukturë. Kështu p.sh. kur bëhet fjalë për rregullimin dhe shtrimin e rrugëve, në mandatin e kaluar ka pasur një kontratë të nënshkruar për shtrimin me asfalt të rrugës së familjes Kurteshi, për të cilën kjo familje kanë dhënë tokën e tyre në këmbim të shtrimit, e atje sikur punët kanë filluar në këtë mandat qeverisës, para më shumë se një muaji dhe ende nuk janë kryer, ndonëse kemi të bëjmë me gjatësi rruge me më pak se 200 metra.
Ngjashëm apo edhe më keq është puna te lagja e tetë ku rrugët janë të pashtruara dhe ka një muaj e më shumë që vetëm pak rërë e gurë është hedhur dhe asnjë punë tjetër nuk duket se bëhet, as për rregullim të kanalizimit dhe as është bërë përpjekja më e vogël për të liruar hapësirat e pjesës publike të rrugëve, sipas kërkesës së qytetarëve, të cilat edhe kur të asfaltohen do të jenë të ngushta, me funksion të kufizuar, pa trotuare, por do të pajtohemi me atë që kanë lënë qytetarët pa uzurpuar, varësisht nga ndërgjegjja e tyre.
Një kërkesë për drejtorinë Bujqësisë; kërkojmë të na ofroni listën e përfituesve të subvencioneve në bujqësi, pra listën e përfituesve dhe të të refuzuarve, për shkak se ka ankesa nga qytetarët, se përkundër faktit që kanë plotësuar kushtet për subvencionim, ata janë diskriminuar. Le të bëhen publike si përfituesit ashtu edhe të refuzuarit, sepse kjo duhet të bëhet në bazë të transparencës që duhet ta ketë komuna edhe ne bazë të kësaj rregulloreje.
Ne si grup i anëtarëve të Kuvendit të anëtarëve të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje kemi vërejtje serioze për qëndrime të standardeve të dyfishta nga Kryesuesja e Kuvendit të komunës, znj. Shpresa kurteshi-Emini, e cila në vend se të jetë ajo që duhet të insistoj që të zbatohet plani i punës së Kuvendit, injoron këtë agjendë, madje edhe duke shkelur rregulloren e punës së Kuvendit, me ç’ rast kur propozimet e anëtarëve të Kuvendit japin propozime për të iu përmbajtur agjendës së planit të punës së Kuvendit, duke propozuar pika që janë të parapara të këtij plani, injoron propozimet, duke mos i hedhur ato në votim si në rastin e Mbledhjes së fundit të KPF-ës.
Por e njëjta lejon të bëhen modifikime e ndërrime në përbërjen e anëtarëve të komiteteve, pa aprovim të Kuvendit, ndërsa në kërkesën tonë me shkrim për përfshirje të anëtarit tonë, në Komitetin e caktuar, marrim përgjigje negative, pa mbështetje në asnjë dispozitë konkrete ligjor, ndërsa në vend të arsyetimit shkruhen të drejtat e anëtarit të Kuvendit, sikur ne nuk i dimë ato. Kjo përpjekje për të na imponuar, se me kë do të përfaqësohemi ne, është e tepërt e padrejtë dhe tendencioze. Për këtë kërkojmë të dimë nëse kjo përgjigje është dhënë, duke u konsultuar edhe Zyra ligjore dhe nëse po, të saktësohet pra, në bazë të cilës dispozitë ligjore është bërë ky interpretim. Ndërsa ndryshimet në përbërjen e Komiteteve të bëhen me aprovim dhe votim të Kuvendit.
Po ashtu kërkojmë nga Kryetari por edhe nga Kryesuesja se përse sikur edhe në mandatin e kaluar qeverisës e edhe tash që po kalojnë 5 muaj të këtij viti, nuk po sillet në KPF dhe Kuvend për ta parë dhe shqyrtuar planin vjetor të prokurimit, duke bërë kështu shkelje ligjore sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, nenit 52, pika 52.2.
Për pikën 2.8
Komiteti për Shërbime Publike, banim, mbrojtje dhe shpëtim, para se të kërkoj mbështetje financiare për ngritjen e shtatoreve të dëshmorëve, që është krejtësisht në rregull, është dashur të kërkoj që para se të bëhen këto punë të jenë përfillur të gjitha procedurat për pajisur me leje pune, me leje për destinim të sipërfaqes së caktuar për ngritje të shtatoreve. Është e çuditshme se si një ide shumë e mirë, pretendohet të realizohet me një përmbysje të plotë të të gjitha procedurave dhe duke rënë në kundërshtim me arritjen e një qëllimi të mirë siç është nderimi dhe respektimi i vlerave të Luftës sonë çlirimtare dhe dëshmorëve të saj, duke i përjetësuar ata në shtatore të përhershme, siç është rasti me dëshmorët Shaban dhe Sami Ukshini.
Organizatorët, Këshilli i fshatit por edhe organet komunale, duket sikur nuk kanë pasur asnjë koordinim për këtë punë, edhe pse punët janë kryer në një pronë publike të komunës.
Ne edhe në KPF kemi kërkuar që të na ofrohet i gjithë dokumentacioni i këtij projekti, por ne këtu kemi vetëm këto kërkesat e fundit për rregullim të parkut me një tabelë të destinimit të mjeteve, një ofertë të një skulptori, i cili ka përfunduar punën e tij, por nuk kemi as konkurs për ofertim, as kushtet e ofertimit e as ofertues të tjerë. Nuk kemi as dëshmi të pagesave në tri pjesë të projektit siç ka kërkuar ofertuesi e që me gjasë pagesa është bërë.
Është e çuditshme se si këto punë janë filluar që në janar të vitit 2018, një pjesë e projektit është kryer ndërsa Institucionet komunale deri në këtë kohë nuk kanë arrite të përcjellin dhe pajisin këtë projekt me dokumentacioni e nevojshëm, ndërsa tek tash kanë filluar ta shtyjnë në procedura. A nuk është kjo e papërgjegjshme si nga organizatori ashtu edhe nga komuna?! Unë mendoj që po. Pra ne jemi për mbështetje të këtij projekti, por vetëm në pajtim procedurat dhe dokumentacionin e vlefshëm dhe të nevojshëm