Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka kërkuar nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, të lërë mënjanë inatet politike dhe të bashkëpunojë me përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvendin Komunal shkruan Radio Star.
Rashiti theksoi se si pasojë e mosfunksionimit të punës së Kuvendit, janë bllokuar mbi 2.5 milion euro që duhet të investohen në projekte të rëndësishme për qytetin.
Shkrimi i plotë:
Me inate politike, destruktivitet dhe me tendenca negative nuk qeveriset komuna
Mbi 2.5 milion euro të bllokuara si pasojë e mosfunksionimit të punës së Kuvendit Komunal në Gjilan.
Papërgjegjësia institucionale e pushtetit të VV-së në Gjilan, inatet politike dhe problemet e jashtëzakonshme të krijuara nga kryetari i komunës, ka bërë që gjithçka të bllokohet në projektet e planifikuara në këtë vit.
Qasja destruktive e kryetarit të komunës dhe mospjesmarrja e tij në seancat e Kuvendit Komunal dhe tendenca e tij për ta fajësuar opozitën për mosmbajtjen e seancave, ka bërë që mbi 2.5 milion euro të bartura nga buxheti i vitit të kaluar, ende nuk janë destinuar për dhjetëra projektet e planifikuara të këtij viti, ndërsa veç po kalon gjysma e vitit kalenderik.
Manipulimi publik është bërë instrument i qeverisjes së VV-së në Gjilan. Mostransparenca ndaj publikut e ka vlerësuar Gjilanin të fundit prej komunave të Kosovës.
PDK kërkon reflektim nga i pari i komunës, që të lërë inatet politike dhe të bashkëpunojë me përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvendin Komunal. Qytetarët e Gjilanit nuk janë fajtorë dhe nuk duhet të pësojnë përshkak tekeve tuaja si kryetar komune.
Puna ligjore, bashkëpunimi dhe transparenca janë çelësi i ecjes para të projekteve dhe planifikimeve tjera për komunën tonë.