Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova ka nxjerrë mësime nga historia e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për ta ndalur luftën.
Në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit për 25-vjetorin e çlirimit, Kurti tha se sot vendi po i forcon lidhjet me SHBA-të e shtetet tjera të fuqishme, ndërsa Serbia “rri e rreshtuar prapa Rusisë”.
“Përtej teknikaliteteve ushtarake dhe të së drejtës ndërkombëtare, rezultati ‘de facto’ i atij misioni ishte çlirimi i Kosovës nga trupat serbe. Detajet e mëtutjeshme dhe faktet e regjistruara të ngjarjeve të atyre ditëve i takojnë historisë dhe historianëve, por pikërisht nga kjo histori duhet nxjerrë mësime siç edhe kemi bërë nga atëherë e deri më sot. Dhe kjo kuptohet më së miri nga rreshtimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i vendeve tona sot. Sikur atëherë, edhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë, Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë, në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë dhe me vendet e tjera partnere perëndimore”, tha Kurti.
Derisa, kryeministri shtoi se Kosova sot po qëndron bashkë me aleatët e saj, njësoj si më 12 qershor të vitit 1999.
“Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinimi ynë ushtarak. Andaj sot po e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar bashkë me aleatët tanë njësoj si më 12 qershor dhe njësoj si në ditët e para të çlirimit”, deklaroi Kurti./teve1.info/