Kohëve të fundit, është raportuar se kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka udhëtuar për të kryer obligimin fetar të haxhit shkruan Radio Star.
Shefi i grupit të LDK-së, Avdyl Aliu, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Hysenit përmes një statusi në ‘Facebook’.
Aliu ka thumbuar kryetarin duke sugjeruar se Hyseni duhet të jetë mirë financiarisht për të përballuar këtë udhëtim, ndërsa paralajmëron që ai të mos neglizhojë mirëqenien dhe kushtet e jetesës së familjes së tij, duke theksuar rëndësinë e mos hyrjes në gjynah me familjarët.
Statusi i plotë:
Shkuarja në Haxh është obligim fetar që duhet të kryhet të paktën një herë në jetën e një myslimani.
Në kuadër të disa kushteve të cilat duhet t’i plotësojë një besimtar për të shkuar në Haxh, është edhe aspekti i financave.
Kjo domethënë që zoti i shtëpisë duhet të jetë mirë financiarisht, pra të ketë mundësi ta paguajë Haxhin dhe njëkohësisht familjen ta lërë në mirëqenie financiare, shëndetësore dhe emocionale.
Në të kundërtën, duke pasur për qëllim që nga Haxhi të fitoj respekt dhe sevape, zoti i shtëpisë do të gjejë të kundërtën e kësaj, dmth mosrespekt, xhynah sepse u hyn në hak anëtarëve të shtëpisë.
Nëse zoti i shtëpisë i lë anëtarët e shtëpisë pa mireqenie, dmth pa kushte jetese, të sëmurë dhe pa barna, pa ushqim, pa rrugë të mira, pa kanalizim, pa ujësjellës dhe pa gjëra tjera elementare dhe shkon tinëz në Haxh, atëherë në këtë rast ka hyrë në gjynah me familjarët.
Shpijaniku i mirë vendos me shku në Haxh kur i ka kushtet, i lajmëron të afërmit të cilët i shkojnë në përhajrim ende pa u nis, por natyrisht edhe kur të kthehet.
Nëse zoti i shtëpisë ka shkuar tinëz në Haxh dhe u ka hyrë n’hak familjarëve duke i lënë në gjendje të rëndë, a duhet me i shku në përhajrim, a mos hyjmë edhe ne në xhynah nëse shkojmë?!