Shkruan: Avni Rudaku/ Prej vitit 2017, Stadiumi i Gjilanit vazhdon të mbetet një lajm për pezullim e ripezullim të punimeve. Stadiumi po bëhet për 7 vjet që është nisur dhe ende vazhdon drama e zvarritjes së papranueshme. Gati dy mandate të plota nga dy kryetarë të ndryshëm komune po ikin dhe stadiumi nuk mund të jetë ende arenë sportive ku dëgjohen jehonat e tifozëve të Dritës e Gjilanit. Në vitin 2017, ishte rizgjedhur kryetar komune, Lutfi Haziri. Në vitin 2021, pas katër vjetësh të mandatit të fundit të Hazirit, stadiumi ende nuk kishte përfunduar.
Jemi në pjesën e dytë të vitit 2024, tri vjet pas marrjes së mandatit si kryetar të Alban Hysenit dhe një vit para skadimit të mandatit të tij, dhe akoma stadiumi i qytetit nuk është as afër përfundimit të punimeve.
Më 11 mars 2024, pas rihapjes së tenderit nga Komuna e Gjilanit, Zyra e Prokurimit doli me vendim për pezullimin e fillimit të punimeve në stadium. Sërish në fillim të muajit qershor 2024, ripezullohet vazhdimi i punimeve. Arsyet e ripezullimit janë të natyrës ligjore të Ligjit mbi Prokurimin Publik dhe Rregullës për Parashtrimin e Ankesave, për shkak të ankesave dhe kërkesave për rishqyrtim nga operatorët e tjerë jofitues.
Asnjë arsyetim nuk mund të jetë i vlefshëm as nga ish-Kryetari Haziri dhe as nga Kryetari aktual Hyseni për zvarritje të rinovimit me standarde ndërkombëtare të stadiumit të Gjilanit. Nuk ka investim kapital që nuk i nënshtrohet procedurave ligjore e të prokurimit. Sado prokurimi që është proces burokratik, sado ligjet dhe rregullat mund të jenë të nevojshme të ndryshohen-plotësohen, 7 vjet për një stadium, kur ka mjete financiare në dispozicion e të jenë vetëm për arsye procedurale, janë arsyetime të paqëndrueshme.
Pavarësisht se projekti është ndihmuar financiarisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, niveli qendror, përgjegjësia komunale nuk përjashtohet dot nga ish-kryetari dhe kryetari aktual i Gjilanit.
Për 7 vjet, dëmet janë të pakthyeshme në çdo aspekt për dyja ekipet lokale, për stërvitjet dhe ndeshjet futbollistike, për tifozët, për bizneset lokale, për tifozët, si dhe janë rritur edhe dëmet e sheshit të ri ngjitas me stadiumin nga stërzgjata e punimeve të stadiumit (materialet infrastrukturore e paguara nga taksapaguesit kosovarë në shesh po dëmtohen dhe askush nuk merr përgjegjësi). Stadiumi është bërë njollë në keqqeverisjen lokale të Gjilanit dhe ka rritur me të drejtë pakënaqësitë sidomos të tifozëve dhe sportdashësve. Kanë mbetur edhe 1 vit nga qeverisja aktuale dhe mospërfundimi i stadiumit do të jetë pjesë e vlerësimit negativ për qeverisjen lokale në tërësi. Kurdo që përfundon stadiumi, për shkak të zvarritjes së tepruar, s’do të ketë as vlerësim pozitiv për kryerjen e tij. Pritja e gjatë ka konsumuar çdo vlerësim pozitiv për kryrjen e stadiumit. Stadiumi i Gjilanit ka konsumuar dy mandate dhe dy kryetarë komune.
Ish-Kryetari Haziri ka marrë ndëshkimin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit lokale edhe për stadiumin, pa përjashtuar edhe shumë arsye të tjera (stërkonsumimi me qeverisjen e tij të gjatë, lënia e komunës në duar të nënkryetarit duke u marrë vetë me probleme politike të nivelit qendror etj.), por edhe Kryetari Hyseni do të ndëshkohet elektoralisht për këtë stadium, nëse nuk arrin të bëjë transformim radikal në vitin e fundit në qeverisjen lokale të Gjilanit me këtë investim kapital, me 7 projekte të tjera që i prezantonte për çdo javë dhe shumë çështje të tjera që janë në fushën e qeverisjes komunale.
Ka fare pak kohë për përmirësim, veçmas kur nuk shoh ende zgjim të menjëhershëm për të ndërruar krejtësisht qasjen në qeverisjen lokale. Si përparësi ka mbështetjen financiare të Qeverisë së Albin Kurtit, nga përkatësia e njëjtë partiake, për investime kapitale, por vazhdon të mos e shfrytëzojë maksimalisht këtë gjë për Gjilanin. Dëm më të madh që i ka bërë Hysenit, nuk ka se deklarata euforike e Shkëlzen Gashit, se Hyseni mund të jetë edhe kandidat për kryeministër, aq i fortë si lider, pasi fitoi Gjilanin! Ajo ia shtoi mendjemadhësinë, arrogancën dhe komoditetin, ndërsa rezultatet aktuale në Gjilan nga qeverisja lokale e Hysenit, nuk janë që ai të ketë gjumë të rehatshëm./Radio Star/