Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ditët e fundit kanë dhënë disa premtime për rritje pagash, konkretisht në shëndetësi e arsim, e që sipas tyre do të realizohen në momentin që vijnë në pushtet, shkruan Reporteri.net.
Lidhja Demokratike e Kosovës më 20 qershor ka mbajtur takimin e me Departamentin e Shëndetësisë, ku në praninë e shumë mjekëve e profesionistëve të fushës u diskutua rreth sfidave kryesore të qytetarëve në sistemin shëndetësor, mungesës së barnave esenciale, listës së pritjes, sigurimeve shëndetësore, e shumë çështje të tjera, të cilat vazhdojnë të mbesin sfidë e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Një nga premtimet që ka bërë LDK në kë takim është rritja e koeficientit të pagave në shëndetësi në vlerën 150 euro. Kështu ka shkruar dhe kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku në Facebook ku ka kritikuar Qeverinë Kurti për gjendjen e rëndë në këtë dikaster.
Ai ka premtuar edhe investime në shëndetësi, sigurime shëndetësore, digjitalizim të plotë të shëndetësisë etj.
Postimi i Abdixhikut i bërë më 20 qershor:
Sot, konstituam Departamentin e Shëndetësisë, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas Arsimit, Ekonomisë e Mbrojtjes, ky është departamenti i katërt i themeluar tashmë. Do të themelohen gjithsej 21 sosh.
Mes profesionistëve të fushës, mjekëve e stafit shëndetësor, diskutuam jo vetëm për gjendjen e rëndë aktuale të shëndetësisë në Kosovë, por dhe për zotimet kryesore të programit tonë politik ‘Rruga e Re’.
✅ Qendër e re spitalore, me investim plot 250 milionë euro.
Sigurime shëndetësore 3.5% + 3.5%.
✅ Digjitalizim i plotë i shëndetësisë dhe sistem informativ shëndetësor.
✅ Menaxhim ndërkombëtar i spitaleve.
✅ Plot 150 milion euro investime në pajisje të reja.
✅ Koeficient 150 për stafin shëndetësor.
Këto janë disa nga projektet kryesore në programin aktual ‘Rruga e Re’.
Rrugën e bëjmë bashkë!
AAK e Haradinajt ju premton mësimdhënësve rritje të pagave
Premtime ka bërë edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt, por kjo parti për mësimdhënësit.
Grupi i ekspertëve të AAK-së në lëminë e Arsimit dje në takimin e mbajtur ka premtuar se rritje të pagës për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50%, shkruan Reporteri.net.
Postimi i plotë i AAK-së:
Grupi i ekspertëve të AAK-së në lëminë e Arsimit sot ka diskutuar disa nga prioritetet që do të përfshihen në Pogramit zgjedhor të AAK-së 2025-2028, duke i veçuar si më të rëndësishme disa prej tyre:
1. Sfidat në sistemin arsimor të Kosovës e determinojnë një reformë thelbësore te këtij sektori;
2. Rritja e buxhetit për Arsim në 6% të GDP-së;
3. Rritja e pagës për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50%;
4. Përmirësimi i infrastruktures fizike duke u përshtatur me kriteret bashkëkohore;
5. Trajtimi në mënyrë të barabartë të universiteve publike dhe private përmes monitorimit të performancës;
6. Profilizimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe pavarësimi financiar i tyre;
7. Tekste falas për arsimin parauniversitar;
8. Arsimi gjithëpërfshirës dhe garantimi i kuadrit profesional për fëmijet me nevoja të veçanta;
9. Rregullimi me ligj i arsimit plotësues në diasporë;
10. Negocim i kontratës së re kolektive me sindikatat e arsimit dhe palët tjera të interesit;
11. Trajnimet e vazhdueshme falas për të gjithë mësimdhënësit;
12. Çertifikimi dhe akreditimi i instituteve shkencore dhe krijimi i mundësisë për gjenerimin e të hyrave vetanake;
13. Rritje të sigurisë në shkolla;
14. Mbështetje të programeve për arsimin profesional sipas nevojave të tregut.