Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e PDK-së lidhur me projektligjin për Investime të Qëndrueshme, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit të Kushtetueses, thuhet se nenet 21, 35, 52 dhe 53 për Investime të Qëndrueshme nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7, dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119, si dhe nenit 122 e 43.
Pas kësaj, Ligji për Investime të Qëndrueshme i dërgohet Presidentes për shpallje.
“Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, njëzëri, që nenet 21 (Këshilli), 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës; dhe (iii) njëzëri, të shpallë që, në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Në nëntor të vitit të kaluar, Partia Demokratika e Kosovës e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Projektligjin për Investime të Qëndrueshme, të miratuar në tetor në Kuvendin e Kosovës.