Ky ishte fëmija nga Gjilani, Xhemajl Berisha, me prejardhje nga Smallusha e Lipjanit, i cili pati guximin që si 17-vjeçar, në vitin 1968, në shënimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në një program të shkollës Normale në Gjilan, ku merrte pjesë edhe Normalja e Prizrenit, të këndojë këngën ‘O sa bukur në Shqipni’, duke i lënë të shtangur të gjithë pjesëmarrësit, shkruan Mediafokus.info
Këtë ngjarje të jashtëzakonshme dhe të guximshme për kohën, e ka ri-sjellë në librin e tij Ibrahim Skenderi, me titull ‘Kujtim i ngrirë’, që është një kronikë reale e një periudhe prej gjashtë dekadash.
Personazh i këtij libri është edhe Xhemajl Berisha nga Gjilani, emrin e të cilit autori arriti ta mësojë veç tani së voni, duke pyetur njerëzit e kësaj ane se kush mund të ketë qenë djaloshi që i kishte shtangur të gjithë me këngën për Shqipërinë.
‘Përkundër programit të jashtëzakonshëm për nga vlerat, të shfaqur nga ansambli folklorik i shkollës Normale nga Prizreni, një këngë e kënduar nga një nxënës gjilanas, erdhi si freski në shpirtin atdhetar të të rinjve.
Xhemajl Berisha, një i ri i moshë 17-vjeçare, ose 18-vjeçare, në pamje i veshur thjeshtë dhe me këpucë llastiku, këndoi një këngë të padëgjuar më parë ‘O sa bukur në Shqipni’.
Kënga si e tillë nuk ishte vetëm pjesë e emocioneve të masës brenda kohës së shfaqjes, por edhe e zgjimit të vetëdijes dhe mobilizimit vetëdijesor kombëtar përgjithësisht’, shkruan autori i librit.
Kënga kishte prekur aq shumë emocionet e të rinjve, sa me t`u kthyer në Prizren, grupi i shokëve të ansamblit filluan ta ushtrojnë tekstin, të cilin dikush prej tyre e kishte shkruar me shpejtësi, derisa po këndohej.
Kënga kishte disa strofa dhe i kushtohej Tiranës, Elbasanit, Beratit, bukurive të tyre, bulevardeve të gjera dhe vajzave të bukura.
Kënga, vijon autori i librit, shumë shpejt u përhap dhe këndohej çdo ditë në shkollë.
Një ditë të bukur të majit 1968, me të mbaruar të mësimit, pikërisht në mesditë, disa qindra nxënës ia krisin këngës ‘O sa bukur në Shqipni’ duke përshkuar qytetin e bukur të Prizrenit.
Qyteti u zu në befasi. Tregtarët lanë dyqanet dhe dolën në rrugë…Milicia po ashtu u zu në befasi. Një polic e heq kapelën dhe e kruan pak kokën duke e kthyer shpinën.
Mbase do të ketë qenë shqiptar i gjetur mes dy zjarreve, dëshirës për ta dëgjuar këngën dhe hallit nga detyra zyrtare që kryente.
Për të gjithë atë masë rinore, ky veprim që ndodhi spontanisht, mbase do të ketë qenë një sprovë dhe testim për ngjarjet e atij viti, që do të ndodhnin në vjeshtë, si kërkesa për flamur dhe për më shumë të drejta kombëtare.
Dhe, nxitës i shpërthimit të gjithë atij vrulli rinor, pa dashje, ose me qëllim u bë djaloshi nga Gjilani, Xhemajl Berisha, sot këngëtar, autor tekstesh e emisionesh për muzikë, mbledhës dhe kultivues folklori, me një karrierë të bujshme krijuese.
Edhe tani si 72-vjeçar ai është aktiv në muzikë dhe aktivitetet tjera ditore, vijon Mediafokus.info
Këngën ‘Oh sa bukur n`Shqipni’, siç thotë ai, e kishte mësuar nga Radio-Kukësi dhe Radio-Tirana, të cilat asokohe dëgjoheshin tinëzisht, sepse ishin të ndaluara në Kosovë.
‘Në të njëjtën kohë, në Takimet e Majit, në Shtëpinë e Armatës kam kënduar edhe këngën ‘Jalla mora rrugën për Tiranë’, rrëfen ai.
Pas paraqitjes në programin e Shkollës Normale, Berisha ishte sugjeruar nga drejtori i shkollës që të ‘zhdukej’ për disa ditë, sepse rrezikonte të burgosej për provokimin e hapur që bëri me këngën ‘O sa bukur në Shqipni, flamur kuq e zi’. /Mediafokus.info/