Partia franceze e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, dhe aleatët e saj kanë fituar 33 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të Francës, ka thënë Ministra e Punëve të Brendshme.
Aleanca majtiste, Fronti i Ri Popullor, doli e dyta me 28 për qind, ndërsa koalicioni “Së Bashku” i presidentit Emmanuel Macron fitoi 20 për qind, sipas kësaj ministrie, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo është hera e parë që Tubimi Kombëtar ka fituar më shumë se 20 për qind të votave në zgjedhje parlamentare dhe e vë partinë brenda mundësive për ta formuar qeverinë e parë të së djathtës ekstreme.
Megjithatë, rezultatet përfundimtare dhe përbërja e saktë e Kuvendit me 577 ulëse nuk janë ende të qarta dhe gjasat që Tubimi Kombëtar ta fitojë pushtetin do të varen nga marrëveshjet politike të rivalëve të tij gjatë ditëve të ardhshme, para rundit të dytë të së dielës.
Në të kaluarën, partitë tradicionale djathtiste dhe majtiste kanë arritur marrëveshje për të tërhequr kandidatë nga balotazhi që ta shmangnin ndarjen e votave kundër Tubimit Kombëtar. Megjithatë, strategjia taktike e votimit, e njohur si “fronti republikan”, për ta bllokuar partinë e Le Penit është më e paqartë se kurrë më parë.
Udhëheqësi i Frontit të Ri Popullor, Jean-Luc Melenchon, tha se grupi i tij do t’i tërhiqte të gjithë kandidatët që kanë dalë në vende të treta në rundin e parë, duke thënë: “Direktiva jonë është e thjeshtë: as një votë të vetme për Tubimin Kombëtar.”
Përmes një deklarate me shkrim, Macroni u bëri thirrje votuesve që të rreshtohen me kandidatët që janë “qartazi republikanë dhe demokratë./Nacionale/