(Dedikuar doktorit të driblingut, Litbarskit të Kosovës, asistuesit maestral, e ikonës së qytetit të futbollit gjilanas, Nehat Osmani)
Pas çdo personaliteti të madh qëndron një kaptinë e jetës së madhe, e njeriu e ka këtë zgjedhje, që përpos ta jetojë, edhe ta ndjeki atë rrugëtim.
Njeriu është i lirë vetëm atëherë kur jeton ëndërrat e veta, e jo dëshirat e huaja!
Prandaj kurrë mos u ankoni për vështërsitë në jetë, sepse Zoti ju jep rolet më të vështira njerëzve më të fuqishëm, sepse është i vetëdijshëm se mund t’i kryejnë detyrat me sukses.
I lindur më 8 nëntor të vitit 1960, në qytetin e Gjilanit, i martuar me znj. Ismete Shabani-Osmani, prindër të dy djemve, Artirit e Norikut, Nehat Osmani është inxhinier i diplomuar i Elektroteknikës dhe Kompjuterikës,
maestro në fushë, zotri jashtë fushe.
Karrierën futbollistike e ka filluar në vitin 1972, në moshën 12 vjeçare.
Ishte reprezentues i Përfaqësueses së Kosovës në kategorinë e pionierëve, pastaj në moshën 15 vjeçare ishte prapë reprezentues i Kosovës në kategorinë e juniorëve, ku përfshiheshin deri në moshën 18 vjeçare.
Në moshën 19-vjeçare bëhet pjesë e U-21, gjithashtu edhe i përbërjës “A” të Kosovës.
Në vitin 1980 transferohet te KF ”Prishtina”, ku luajti me disa futbollistë të “Gjeneratës së Artë” të Prishtinës.
Pastaj kthehet tek C. Zvezda, si kapiten, e lider dhe me bashkëlojtarët e tij bëhen kampion dhe inkuadrohen ne Ligën e Dytë Federative në shtetin YU.
Pra, çdoherë ekziston vendi ku e lë një pjesë të madhe të vetvetes dhe ku kthehesh kohë pas kohë për të parë a je aty, kurse simpatizuesit të shohin në mungesë të cilësisë të pozitës, e numrit që bartnit ju deri sa luanit.
“Litbarski i Kosovës” ishte doktor i driblingut. Dashuria e Nehatit për lojën gjithnjë gjente rrugën për të përparuar, e ngritur në piadestalin më të lartë të kohës.
Krahas vlerave e atributeve me horizonte personale, ishte lider e kapiteni i skuadrës.
Topi i tij, kur pasohej, sikur kishte sy, e jehonë muzikaliteti, efet e tij ishin bukuri e veçantë për syrin e njerëzve me shije futbolli.
Nehati lexonte libra, lexonte shtypin ditor, por mbi të gjitha lexonte dhe dirigjonte lojën në mënyrë perfekte, luante e shkruante vargje poetike me top, sa që shumica e kundërshtarëve nuk e lexonin dot.
Dhe gjithçka ka ndodhur atëbotë, sepse ti ke dëshiruar të ndodhë, ashtu siç të ndodhi në rrugëtimin e karrierës futbollistike.
Në vitin 1986 kalon në radhët e Minatorëve, pra në KF “Trepça” nga Mitrovica, që gjithashtu garonte në Ligën e Dytë Federative të shtetit YU, pasi që kapaciteti e vlera e tij gjithnjë kanë kërkuar rang më të lartë garash.
Më 1987 përsëri rikthehet në folenë e vet në Gjilan e pastaj në kohën e Rezistencës, ishte ai me shokë një nder klubet e para që braktisën garat që luheshin nën tutelën e okupatorit.
Pastaj jep kontributin maksimal edhe në organizimin e rezistencës si Ligë e Pavarësisë!
Fanella me numrin 8 (tetë) ishte e dedikuar për këtë mesfushor maestral, ose pakerin e lojës se skuadrës.
Kur shkatërrohet besimi, mendoj se kërkimfalja nuk ka më kuptim, se nuk do të thotë asgjë!
Futbolli është lojë e shënimit të golave, e golat duhet dikush t’i asistojë e, t’i bëjë gati.
E këtë e bënte më së miri Nehati, në mënyrë perfekte dhe prandaj ku luante Nehati, skuadra fitonte.
Unë mendoj, mik, se sfidat e tua të kaluara me punë kanë lënë gjurmë në futbollin gjilanas dhe të Kosovës.
Pra ti e ke bërë për dashuri ndaj lojës së futbollit, e me lojën tënde të bukur ke bërë shumë persona të lumtur dhe prandaj jeta jote ka kuptim, sepse ti i ke dhënë kuptim lojës, e jetës, o vizionar i mesfushës së futbollit.
Mund të ndërrojë dikush në fushën e blertë, por kurrë nuk do të mund të zëvendësojnë !
Pleqëri të mbarë o miku im fisnik z. Nehat Osmani!
Shkruan:Enver D.HALILI